Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka uruar 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
“Sot, 28 Nëntor, 110 vjet Shqipëri e pavarur! Shqipërinë e pavarur e themeluan patriotët shqiptarë, të udhëhequr nga Ismail Qemali. Formimi i shtetit shqiptar ishte rezultat i luftërave të popullit shqiptar për t’u shkëputur nga perandoria osmane.
Ishin këto luftëra e këto përpjekje që, me mbështetjen e Fuqive të Mëdha të kohës, mundësuan njohjen, përcaktuan statusin politik, kuadrin juridik dhe kufijtë shtetërorë të Shqipërisë së pavarur.
Historia nuk është vetëm rrëfim e arkiva, por edhe një shkollë atdhedashurie, përkushtimi e kontributesh për t’i shërbyer kombit, në misionin dhe qëllimet që shtron koha. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s, në një fazë të re të rrugëtimit evropian, dhe qëndron denjësisht në krah të partnerëve strategjikë, SHBA dhe BE.
Më 6 dhjetor Tirana do të jetë kryeqyteti politik i Evropës, ku udhëheqësit e së cilës do të diskutojnë sfidat e integrimit, zhvillimit, sigurisë dhe paqes!”, shkruan në mesazhin e saj Kryetarja e Kuvendit.
Discussion about this post