Kosova ka mbetur jashtë përfitimit nga një paketë financiare prej 171 milionë eurosh të Komisionit Evropian, e cila është dedikuar për zhvillimin e infrastrukturës dhe sektorit privat në vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas Bashkimit Evropian, arsyeja kryesore lidhet me mosplotësimin e kushteve ligjore dhe bllokadën institucionale të krijuar pas zgjedhjeve, e cila ka pamundësuar përfundimin e procedurave të nevojshme për disbursimin e fondeve.
Bashkimi Evropian ka konfirmuar se mungesa e ratifikimit të Marrëveshjeve të Huasë dhe të Lehtësimit në kuadër të Lehtësimit për Reformë dhe Rritje (RGF) ka bërë që fondet e parashikuara për Kosovën të mos mund të lëvrohen. Pa përfundimin e këtyre procedurave ligjore, Kosova nuk i plotëson kushtet formale për të përfituar nga mjetet financiare të këtij mekanizmi. Në një përgjigje për FrontOnline, BE-ja ka theksuar se përderisa këto marrëveshje nuk janë ratifikuar, Kosova nuk mund të ketë qasje në fondet e RGF-së.
Në një reagim zyrtar, një zëdhënës i Komisionit Evropian ka shprehur shpresën se kjo situatë do të zgjidhet së shpejti, duke rikujtuar se Kosova ka përfituar së fundmi ndihmë financiare në vlerë prej 216 milionë eurosh. Sipas tij, kjo mbështetje financiare tregon përkushtimin e vazhdueshëm të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, pavarësisht vonesave aktuale në përmbushjen e kushteve ligjore.
Komisioni Evropian ka sqaruar se nga kjo shumë, 181 milionë euro janë ndarë për programimin e fondeve të reja, ndërsa 35 milionë euro janë destinuar për vazhdimin e katër kontratave prioritare, të cilat synojnë të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe në sektorë kyç të zhvillimit.
Ndërkohë, BE-ja ka bërë të ditur se planifikon të lirojë edhe shumën e mbetur prej 205 milionë eurosh në fillim të këtij viti, me kusht që të arrihet një marrëveshje për prioritetet e programimit. Kjo do të mundësonte rifillimin e kontraktimit të fondeve IPA 2021 në vlerë prej rreth 17 milionë eurosh, IPA 2022 në vlerë prej 55.7 milionë eurosh, si dhe kontraktimin e projekteve në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) në vlerë prej 132 milionë eurosh.
Për momentin, përfitimi i Kosovës nga këto fonde mbetet i kushtëzuar nga zhbllokimi i proceseve institucionale dhe përmbushja e obligimeve ligjore, ndërsa Bashkimi Evropian thekson se mbetet i gatshëm të vazhdojë mbështetjen financiare sapo këto kushte të plotësohen.


