Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishte e ftuar si folëse kryesore në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Johns Hopkins. Ajo, së bashku me ekspertin ndërkombëtar Edward Joseph dhe një audiencë të gjerë, përfshirë profesorë, studentë dhe shqiptarë që jetojnë në SHBA, analizuan rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe rolin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Spiropali theksoi se Shqipëria ka kaluar nga një vend i izoluar në një shtet kandidat për anëtarësim në BE, duke realizuar një sërë reformash strukturore dhe duke e pozicionuar veten si një aktor të rëndësishëm në rajon dhe më gjerë. Ajo e ndau me audiencën progresin e arritur deri tani: “Në vetëm 13 muaj, hapëm të gjithë grupkapitujt e negociatave, një rezultat i reformave të vështira dhe angazhimit të palodhur politik. Tani, puna më e vështirë nis, dhe synojmë të mbyllim grupkapitujt deri në 2027 dhe të sigurojmë anëtarësimin deri në 2030,” tha ajo.
Ministrja theksoi gjithashtu se angazhimi i Shqipërisë për vlerat perëndimore është strategjik dhe thelbësor për sigurinë e vendit: “Administratat mund të ndryshojnë dhe politikat të evoluojnë, por orientimi i Shqipërisë drejt bashkësisë euroatlantike është i palëkundur,” shtoi Spiropali.
Gjatë qëndrimit të saj, Spiropali mori pjesë dhe në Samitin “Western Balkans Forward”, organizuar nga Këshilli i Atlantikut, ku foli për “Imperativin gjeopolitik të zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor”. Ajo vlerësoi se procesi i zgjerimit të BE-së është një instrument gjeostrategjik që duhet të shfrytëzohet për të garantuar sigurinë europiane. “Paqëndrueshmëria rajonale dhe ndikimi rus e bëjnë zgjerimin më urgjent. Zgjerimi duhet të trajtohet si një instrument sigurie dhe jo si një mekanizëm burokratik shpërblimi,” tha ajo.
Spiropali theksoi gjithashtu se çdo zvarritje në procesin e zgjerimit përbën një rrezik sigurie, duke theksuar se është e nevojshme që ky proces të ecë përpara pa vonesa: “Vonesa krijon vakuum strategjik që tërheq aktorë dhe ndikime dashakeqe. Ky është një rrezik që duhet shmangur me çdo kusht.”
Ministrja Spiropali përfundoi se zgjerimi i BE-së është një proces i lidhur me kohën dhe një interes strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke nënvizuar se një rajon i integruar në BE është më i sigurt dhe më i begatshëm.


