Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se raundi i ardhshëm i bisedimeve për paqe me Rusinë mund të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara. Përmes një postimi në platformën Telegram, Zelensky deklaroi se takime të mëtejshme janë të planifikuara për të ardhmen e afërt, me mundësinë që ato të mbahen në Amerikë.
“Morëm një raport nga ekipi ynë negociator pas dy ditësh takimesh në Emiratet e Bashkuara Arabe me palën amerikane dhe atë ruse. E pres ekipin në Kiev për një raport të plotë, pasi shumë aspekte të diskutimeve nuk mund të trajtohen në telefon. Takime të tjera janë planifikuar, me gjasë në Amerikë”, tha ai.
Zelensky theksoi se Ukraina mbetet e angazhuar për formate të bisedimeve që të çojnë në një paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë, duke theksuar se ky është një moment kyç për të garantuar sigurinë e vendit dhe për të hequr mundësinë që Rusia të vazhdojë agresionin. “Është e rëndësishme që lufta të përfundojë pa e shpërblyer Rusinë për agresionin e saj,” shtoi ai.
Në ditët e fundit, Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara zhvilluan një takim dyditor për të diskutuar mbi çështjen ukrainase, që u mbajt në kryeqytetin Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. Gjatë takimit, palët ranë dakord për shkëmbimin e parë të robërve të luftës pas pesë muajsh, një hap i konsideruar si i rëndësishëm në përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit.
Sipas një komunikate të përbashkët, diskutimet u cilësuan si “konstruktive” dhe përqendruese në krijimin e kushteve për një paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë.


