Dhjetëra mijëra protestues pritet të mblidhen në kryeqytetin bavarez javën e ardhshme, në kohën kur në Mynih do të mbahet Konferenca e Sigurisë, një nga forumet më të rëndësishme globale për çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë.
Sipas njoftimit të Zyrës së Administratës së Qarkut të Mynihut, deri më tani janë regjistruar rreth 120 mijë pjesëmarrës për protesta të ndryshme që do të zhvillohen paralelisht me konferencën. Autoritetet bëjnë të ditur se gjithsej 21 aktivitete proteste janë regjistruar në qytet, të planifikuara nga e mërkura deri të dielën.
Demonstratat e lidhura me këtë takim vjetor të liderëve botërorë, ministrave të Mbrojtjes, të Jashtëm dhe përfaqësuesve të shërbimeve sekrete, kanë qenë më të kufizuara në vitet e fundit. Megjithatë, këtë vit pritet një mobilizim dukshëm më i madh.
Protesta më masive është planifikuar për datën 14 shkurt, kur kundërshtarë të autoriteteve drejtuese të Iranit pritet të dalin në rrugë. Organizatorët kanë deklaruar se deri në 100 mijë persona janë regjistruar për këtë tubim.
Po atë ditë, në qendrën e Mynihut është paralajmëruar edhe një protestë kundër vetë Konferencës së Sigurisë, ku pritet pjesëmarrja e rreth 4 mijë personave. Kritikët e konferencës e cilësojnë atë si një “takim global të militaristëve”, duke kundërshtuar rolin dhe ndikimin e saj në politikat ndërkombëtare të sigurisë.
Përveç këtyre, janë planifikuar edhe disa tubime të tjera me rreth 3 mijë pjesëmarrës secili, përfshirë protesta kundër luftës dhe një tubim që kërkon “zgjedhje të lira për vaksinimin”.
Konferenca e Sigurisë në Mynih do të mbahet nga 13 deri më 15 shkurt në hotelin luksoz “Bayerische Hof”. Sipas organizatorëve, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar rreth 65 liderë botërorë, si dhe një numër i madh ministrash të Jashtëm dhe të Mbrojtjes.
Ndër figurat më të spikatura që pritet të marrin pjesë janë sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, si dhe Friedrich Merz, i cili do të marrë pjesë për herë të parë në këtë forum në cilësinë e kancelarit të Gjermanisë.


