Dy aeroporte në juglindje të Polonisë kanë pezulluar përkohësisht operacionet ajrore si masë parandaluese, pas intensifikimit të sulmeve ruse në territorin e Ukrainës fqinje, njoftuan autoritetet polake të shtunën.
Agjencia Polake e Shërbimeve të Navigimit Ajror bëri të ditur përmes platformës X se aeroportet e Rzeszow-it dhe Lublin-it kanë ndërprerë përkohësisht fluturimet civile për të garantuar funksionimin e pandërprerë të aviacionit ushtarak.
Të dy qytetet ndodhen pranë kufirit me Ukrainën, ndërsa Rzeszow konsiderohet një nyje strategjike e NATO-s për furnizimin me ndihma ushtarake të Kievit, duke e bërë zonën veçanërisht të ndjeshme nga pikëpamja e sigurisë.
Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura Polake konfirmoi se aviacioni ushtarak ka nisur operime në hapësirën ajrore të vendit, në përgjigje të situatës së krijuar nga sulmet ruse përtej kufirit.
“Këto veprime janë parandaluese dhe kanë për qëllim garantimin e sigurisë dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore polake, veçanërisht në rajonet pranë zonave të rrezikuara,” thuhet në deklaratën zyrtare.
Ndërkohë, shërbimi i ndjekjes së fluturimeve FlightRadar24 raportoi se mbyllja e aeroporteve lidhej me operime të avionëve të NATO-s në zonë. Edhe Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-ve (FAA) informoi pilotët se aeroportet ishin të paarritshme për shkak të aktivitetit ushtarak të lidhur me sigurinë shtetërore.
Kjo nuk është hera e parë që këto aeroporte pezullojnë operacionet. Edhe muajin e kaluar, Rzeszow dhe Lublin ndërprenë përkohësisht fluturimet, por atëherë autoritetet polake sqaruan se bëhej fjalë për stërvitje rutinë ushtarake dhe se nuk ekzistonte kërcënim real për hapësirën ajrore të vendit.


