Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka asnjë dëshirë për të ndalur pushtimin e Ukrainës, që po hyn në vitin e katërt, dhe beson se mund ta “tejkalojë me zgjuarsi” SHBA-në gjatë bisedimeve për përfundimin e luftës, tha sot kreu i inteligjencës së jashtme të Estonisë, Kaupo Rosin, sipas AP.
Rosin theksoi se Moska po përpiqet të fitojë kohë në bisedimet me SHBA-në dhe nuk ka asnjë diskutim real për bashkëpunim domethënës. Ai shtoi se zyrtarët rusë e konsiderojnë Uashingtonin “armikun kryesor” të Moskës.
Raporti estonez për sigurinë:
- Rusia nuk pritet të sulmojë NATO-n këtë vit apo vitin e ardhshëm, por mbetet rrezikshme dhe po forcon kapacitetet ushtarake.
- Zyrtarët rusë publikisht shfaqin interes për marrëveshje, por në fakt tregojnë pak gatishmëri për kompromis, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.
- Sipas Rosin, Putini ende beson se mund të fitojë luftën në Ukrainë ushtarakisht.
Reagimi amerikan:
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se negociatorët amerikanë kishin bërë “progres të madh”, duke përmendur një marrëveshje të fundit në Abu Dabi për lirimin e mbi 300 të burgosurve si dëshmi të përparimit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se SHBA-ja i ka vendosur Ukrainës dhe Rusisë një afat deri në qershor për arritjen e marrëveshjes, megjithëse afatet e mëparshme nuk kanë sjellë rezultate të dukshme.
Fiona Hill, ish-këshilltare e Trump për çështjet ruse, vuri në dukje se Trump dhe Putini po krijojnë narrativën e tyre: Putin si fitues në Ukrainë dhe Trump si arkitekt i një marrëveshjeje paqësore.
Të dy liderët, sipas saj, po mbajnë versionin e tyre të ngjarjeve, pa llogaritur seriozisht se çfarë do të ndodhë në terren.


