Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar Albulena Haxhiun për zgjedhjen e saj si kryetare e Kuvendit të Kosovës në Legjislaturën e X.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kreu i shtetit shqiptar i përcolli urimet e tij për postin e ri që ajo do të mbajë në krye të institucionit ligjvënës të Kosovës.
“Urime, znj. Albulena Haxhiu, për zgjedhjen Kryetare e Kuvendit”, shkroi Begaj.
Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria do të vijojë të mbështesë Kosovën në konsolidimin e institucioneve dhe në rrugëtimin e saj ndërkombëtar.
“Shqipëria do të vijojë të qëndrojë pranë Kosovës, në mbështetje të institucioneve demokratike të saj dhe rrugëtimit euroatlantik”, u shpreh Presidenti.
Kuvendi i Kosovës mbajti këtë të mërkurë, më 11 shkurt, seancën konstituive, duke shënuar hapin e parë drejt ngritjes së institucioneve të reja. Me 66 vota pro, 44 kundër dhe 8 abstenime, deputetët zgjodhën Albulena Haxhiun në krye të Kuvendit.


