Në mbledhjen solemne të Qeverisë së Kosovës për 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, Kryeministri Albin Kurti theksoi se ky është një moment reflektimi, duke kujtuar se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, sot mbahen padrejtësisht në Hagë.
Në fjalimin e tij, Kurti theksoi se kontributi i çdo individi që ka kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës është i çmuar dhe se historia do të sjellë gjykimin e drejtë. Ai nderoi sakrificat e popullit dhe heronjve të rënë, duke vlerësuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe gjithë periudhën që ka kaluar Kosova.
“Sot pavarësia jonë mbush 18 vjet. Mbase një moshë e re për shtetin, por një kapitull i rëndësishëm në rrugëtimin tonë të gjatë si popull,” tha Kurti. Ai theksoi se, edhe pse shteti i Kosovës është ende i ri, gjuha, kultura dhe populli janë të lashtë dhe të përjetshëm.
Kryeministri po ashtu theksoi arritjet e mëdha të Kosovës në këto 18 vite, si njohjet ndërkombëtare, ndërtimin e institucioneve demokratike, zhvillimin e ekonomisë dhe forcimin e ushtrisë. Ai gjithashtu përmendi hapat e rëndësishëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe pjesëmarrjen në forume ndërkombëtare.
Në fund, Kurti kërkoi drejtësi për ata që janë mbajtur të paraburgosur në Hagë dhe nënvizoi se historia do të japë verdiktin e drejtë për kontributin e tyre në luftën për lirinë e Kosovës.


