Në tryezën e zhvilluar këtë 3 mars për projektligjin mbi financimin e partive politike, kreu i Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, theksoi domosdoshmërinë e një progresi të prekshëm dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor.
Sipas tij, financimi i partive politike është një komponent kyç për garantimin e konkurrencës së ndershme dhe forcimin e besimit të publikut në institucionet demokratike. Tarran nënvizoi se përmirësimi i kuadrit ligjor duhet të udhëhiqet nga disa parime themelore, të cilat janë në përputhje edhe me rekomandimet ndërkombëtare.
Katër parimet bazë
- Transparenca – Deklarimi i plotë dhe i qartë i të gjitha burimeve të financimit.
- Barazia – Zbatimi i njëjtë i rregullave për të gjithë aktorët politikë.
- Zbatimi – Institucionet përgjegjëse duhet të kenë mandat të qartë dhe burime të mjaftueshme financiare për të ushtruar funksionin e tyre.
- Sanksionet – Vendosja e masave profesionale dhe efektive për të dekurajuar shkeljet e ligjit.
Ambasadori theksoi se këto parime lidhen drejtpërdrejt me gjetjet e raporteve të fundit të OSCE/ODIHR, përfshirë raportin për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, ku evidentohen fusha konkrete që kërkojnë rishikim të kuadrit ligjor.
Në këtë kontekst, Tarran vlerësoi rolin kyç të reformës zgjedhore dhe rikonfirmoi angazhimin e Prezencës së OSBE-së për të mbështetur punën e komisionit përmes ekspertizës teknike dhe ndërmjetësimit të dialogut ndërmjet palëve politike.
“Dialogu mes palëve është thelbësor dhe ndikon drejtpërdrejt në rritjen e pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhje”, u shpreh ai, duke shtuar se konsultimi i sotëm dëshmon rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës.
Në përmbyllje, diplomati theksoi se momenti aktual kërkon vendimmarrje dhe veprim konkret: “Koha është vendimtare.”


