Kuvendi i Kosovës u konstituua këtë të mërkurë, më 11 shkurt, përmes një procedure të përshpejtuar, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet. Në të njëjtën ditë, deputetët miratuan edhe qeverinë e re të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti.
Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit me 66 vota pro, 44 kundër dhe 8 abstenime. Po ashtu, u votuan edhe pesë nënkryetarët, duke e konsideruar Kuvendin zyrtarisht të konstituuar. Më pas, pas një tjetër procedure të përshpejtuar, qeveria e re mori 66 vota pro, 49 kundër dhe asnjë abstenim.
Gjatë fjalës së tij në seancë, kryeministri Albin Kurti theksoi arritjet ekonomike të mandatit të kaluar, masat sociale dhe mbështetjen për sektorë të ndryshëm. Ai u ndal edhe te proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke e cilësuar të papranueshme pretencën e prokurorisë për nga 45 vite burg për secilin.
Në përfundim të seancës, kryeministri dhe ministrat e kabinetit prej 20 anëtarësh bënë betimin, duke nisur zyrtarisht mandatin e ri qeverisës.
Pas konstituimit të institucioneve të reja, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, përcolli një mesazh urimi për drejtuesit e rinj të shtetit të Kosovës.
“Rrugëtim të mbarë dhe shumë suksese Kuvendit të Republikës së Kosovës në Legjislaturën e X dhe Qeverisë së re! Urimet më të përzemërta për Kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për Kryeministrin Albin Kurti dhe Zv.Kryeministrin e parë, Ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Ju priftë e mbara në këtë përgjegjësi të naltë në shërbim të qytetarëve dhe të forcimit të mëtejshëm të shtetit demokratik të Kosovës”, shkroi ajo.
Spiropali theksoi se Kosova mbetet pjesë e pandashme e horizontit të përbashkët europian dhe e zemrës kombëtare shqiptare.
“Kosova është pjesë e pandashme e zemrës sonë kombëtare dhe e horizontit tonë të përbashkët europian. Shqipëria do të qëndrojë gjithmonë pranë Kosovës, me mbështetje të sinqertë dhe të palëkundur për sigurinë, institucionet dhe rrugëtimin e saj drejt familjes euroatlantike. Suksese në këtë kapitull të ri, në shërbim të paqes, zhvillimit dhe dinjitetit të qytetarëve të Kosovës”, përfundon mesazhi i ministres.


