Fermerët e vetëpunësuar në bujqësi do të kenë mundësinë të rregullojnë detyrimet e prapambetura për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore pa u përballur me gjoba dhe kamatëvonesa, pas miratimit të ligjit të ri për fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore.
Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), Astrit Hado, bëri të ditur se ligji parashikon fshirjen e plotë të dënimeve administrative për detyrimet që kanë lindur deri më 31 dhjetor 2014, ndërsa fermerët do të jenë të detyruar të paguajnë vetëm kontributin bazë.
Për periudhën 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2024, gjobat dhe kamatëvonesat do të shuhen, me kusht që kontributi të paguhet në plotësi deri më 31 dhjetor 2026.
Hado theksoi se kjo nismë u jep mundësi fermerëve që kanë detyrime të akumuluara t’i mbyllin ato pa kosto shtesë, duke paguar vetëm shumën e kontributeve sipas masës së përcaktuar.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, kontributi vjetor për fermerët e vetëpunësuar në bujqësi është 38,400 lekë për zonat fushore dhe 29,400 lekë për zonat malore.
Autoritetet apeluan që fermerët të përfitojnë nga kjo mundësi brenda afatit ligjor, për të siguruar vazhdimësinë e përfitimeve nga skema e sigurimeve shoqërore, përfshirë të drejtën e pensionit dhe mbrojtjen shëndetësore.


