Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, mbajti fjalën e tij të fundit para trupit gjykues në Hagë, duke theksuar se paraburgimi i tij dhe i tre ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka qenë tërësisht i padrejtë.
Me emocione të thella dhe kollaren me shqiponjë në fyt, Krasniqi filloi fjalën e tij duke uruar qytetarët e Kosovës për festimin e 18-vjetorit të pavarësisë. Ai tha se qëndronte para gjykatës jo si një kriminel, siç e përshkruan aktakuza e prokurorisë, por si një njeri që ka luftuar për dinjitetin njerëzor dhe për lirinë e një populli që refuzoi të zhdukej nën politikat e krimit dhe gjenocidit serb.
“Kam kaluar pjesën më të madhe të jetës time të udhëhequr nga bindja se qeniet njerëzore meritojnë të jetojnë në liri,” tha Krasniqi, duke shtuar se, pas më shumë se pesë vitesh burgim të padrejtë, angazhimi i tij politik dhe jetësor ka qenë gjithmonë për liri.
Ai theksoi se gjatë këtyre pesë viteve, i janë mohuar të drejtat e njeriut, ndërsa theksoi se më e rëndësishmja ishte e drejta për të jetuar në liri, për të kaluar vitet e mbetura me dinjitet pranë familjes dhe në atdheun e lirë. Krasniqi përmendi se aktualisht ndodhet në vitin e 16-të të burgimit, vetëm sepse luftoi për lirinë dhe pavarësinë e popullit të tij.
“Të kesh kaluar 16 nga 75 vitet e jetës në burg dhe të jesh privuar nga ajri i lirisë nuk është diçka e vogël,” tha Krasniqi. Ai e lidh këtë periudhë me angazhimin e tij kundër politikave gjenocidale të Serbisë, duke kujtuar daljen e tij publike më 11 qershor 1998 si një shenjë kundërshtimi ndaj regjimit serb.
Krasniqi kritikoi ashpër akuzat e prokurorisë, duke thënë se ato janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan luftëra në ish-Jugosllavi dhe që nuk shërbejnë për drejtësi. Ai shtoi se drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi gjuhën e shtypësve dhe se ajo duhet të mbështetet mbi prova të besueshme dhe të vërtetën.
“Figura që përshkruhen në aktakuzë nuk është njeriu që sot qëndron para jush. Falënderoj dëshmitarët që erdhën dhe e thanë të vërtetën. Unë nuk zotëroja pushtetin, komandën apo funksionet që më atribuohen në këtë rast,” theksoi ai, duke shtuar se e gjithë bota e di që ndërhyrja e NATO-s ishte kundër krimeve të Serbisë dhe asnjëherë nuk është rreshtuar me terrorizmin apo gjenocidin.
Në fund, Krasniqi theksoi se qëllimi i UÇK-së dhe i tij ka qenë gjithmonë të kthejnë Kosovën te populli i saj, dhe jo të zhdukin ndonjë komb. Ai kërkoi drejtësi dhe theksoi se ajo duhet të bazohet në të vërtetën, jo në akuzat pa prova.
“Askund nuk do ta gjeni një ndërmarrje kriminale,” përfundoi Jakup Krasniqi, duke apeluar për një gjykim të drejtë dhe të mbështetur në fakte të besueshme.


