Anëtarësimi i Shqipërisë në Zona Unike e Pagesave në Euro (SEPA) ka sjellë ulje të konsiderueshme të kostove të transfertave në euro, duke lehtësuar pagesat ndërkufitare jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas një studimi të Banka Botërore, për transfertat prej 5 mijë eurosh, kostoja mesatare e transaksioneve ka rënë nga 0,76% në 0,08%, duke shënuar një ulje prej rreth 90%. Për transfertat më të mëdha, si ato prej 20 mijë eurosh, ulja është mbi 95%, nga 0,47% në 0,02%.
Kjo nënkupton përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset, ndërsa ekonomia shqiptare pritet të kursejë rreth 70 milionë euro gjatë vitit të parë të implementimit të SEPA-s.
Ekspertët e konsiderojnë këtë rezultat si pasojë të punës sistematike të Banka e Shqipërisë për përafrimin me standardet evropiane, modernizimin e infrastrukturës së pagesave dhe sigurimin e transferta më të shpejta, më të sigurta dhe më të lira.
Përfitimet e SEPA-s shtrihen përtej uljes së kostove, duke forcuar integrimin financiar të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe duke krijuar mundësi të reja për tregti dhe investime ndërkufitare.
Zona Unike e Pagesave në Euro përfshin 41 shtete, duke përfshirë edhe Shqipërinë, dhe detyron të gjitha vendet anëtare të kryejnë dhe pranojnë pagesa në euro për individët, bizneset dhe institucionet, me të njëjtat kushte dhe procedura si për pagesat kombëtare.
Shqipëria u bë anëtare e SEPA-s në vitin 2024, pas një procesi të gjerë harmonizimi rregullator, përditësimi të infrastrukturës, testimesh teknike dhe vendimmarrjes për uljen e komisioneve bankare.
Që nga 7 tetori 2025, një transfertë elektronike në euro nga Tirana në Bruksel përpunohet dhe tarifohen njësoj si një pagesë brenda vendit, duke bërë kështu pagesat ndërkufitare më të thjeshta dhe më të lira se kurrë më parë.


