Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama do të mbledhë këtë të premte në qytetin e Tepelenës ministrat e kabinetit të tij. Për dy ditë me radhë, edhe nesër, do të diskutohet për reformat dhe punët e bëra nga qeveria socialiste, dhe çfarë do duhet të bëhet në vazhdim.
Kjo mbledhje vjen dy ditë pas asaj të Asamblesë Kombëtare të PS që u mbajt në Tiranë, ku u shkarkua Damian Gjiknuri si Sekretar i Përgjithshëm dhe u zgjodh Bledi Çuçi kreu i Grupit Parlamentar.
Punimet e Asamblesë Kombëtare u karakterizuan nga lajmi se ministrja Delina Ibrahimaj ishte shkarkuar nga posti në krye të Financave. Por lajmi u mohua shpejt nga Ibrahimaj dhe më pas kryeministri Edi Rama, i cili deklaroi se nuk kishte ndryshime në kabinet.
Megjithatë, pritet të shihet se çfarë do të ndodhë në takimin informal të Tepelenës, nëse do të ketë ndryshime në kabinet apo mazhoranca socialiste do të vazhdojë sezonin e ri politik me të njëjtët emra.
Në shtator pritet që Kongresi i Partisë Socialiste të zgjedhë emrat e rinj të Sekretariateve, pasi në mbledhjen e Asamblesë ata u shkarkuan të gjithë. “Do të merrem me ministrat në Tepelenë”, raportohet të ketë thënë Rama në mbledhjen e dy ditëve më parë.
Burime pranë mazhorancës socialiste dhe selisë rozë kanë thënë se në mbledhjen e Tepelenës do të ketë ndryshime në kabinet, por Edi Rama është një politikan që di edhe “të zhgënjejë”, pasi mund t’i lërë shkarkimet dhe emërimet për në Kongresin e shtatorit.
Discussion about this post