Me banderolën ‘Mos u ngopshi!’ aktivistë të Lëvizjes Bashkë protestuan sot para Kuvendit për të kundërshtuar rritjen e pagës së deputetëve, projektligj i cili pritet të miratohet sot në Kuvend.
Kryetari i kësaj lëvizje Arlind Qori tha në fjalën e tij se rroga e një deputeti do të rritet sa 39 pensione minimale në vend. Sipas Qorit ata që na qeverisur nuk duan që t’ja dinë për popullin.
Jemi mësuar që në krye të institucioneve të ketë njerëz halabakë. Në vend që personi në fjalë të përfundonte në burg si hajdut xhepash i kemi sot pronarë të mëdhenj. Pushtetin ia kanë marrë popullit. Kemi pensionet më të ulëta në rajon. Rroga e deputetit do të jetë sa 39 pensione minimale. Ky është skandal i padëgjuar ndonjëherë në asnjë lloj vendi. Paga bazë e deputetit në Itali është 5 mijë euro. Ata që na qeverisin nuk duan që t’ja dinë për popullin. Kur shkon puna për paratë ata janë bashkë.’- u shpreh Arlind Qori.
Protesta nuk kaloi edhe pa incidente ndërmjet aktivistëve të ‘Lëvizjes Bashkë’ dhe deputetëve, kryesisht atyre të mazhorancës. Aktivistët sulmuan ish-ministrin Arben Ahmetaj me tufa parash false, ndërsa e thërrisnin ‘hajdut, hajdut’.
Po në këtë mënyrë ata sulmuan edhe deputetin Vullnet Sinaj. Ky i fundit u shpreh se ka 6 vite që nuk e merr rrogën e deputetit e shtoi se ‘po’ është dakord që pagat e tyre të rriten.
Të martën, në Komisionin e Ekonomisë miratoi projektligji për rritjen e pagave të administratës dhe institucioneve të pavarura në nivelin nga 20-60%. Sipas propozimit, paga e deputetëve duhet të dyfishohet nga 156 770 lekë që është aktualisht në 310 250 lekë, ndërsa e Ministrave nga 174 760 lekë në 318 750 lekë bruto. Kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit paga u rritet në thuajse 400 000 lekë bruto nga 228 000 lekë që është sot.
Discussion about this post