Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh këtë të hënë se në seancën e fundit parlamentare ka pasur një përpjekje për të përshkallëzuar dhunën në Kuvend. Sipas tij, një deputete ka futur në Kuvend një flakadan dhe këtë do të ndizte më pas deputeti Edmond Spaho.
“Ka një element që do kisha dashur që ju pushteti tjetër i pavarur ta kishit marrë në konsideratë. Në seancën e fundit ka pasur një përpjekje për ta përshkallëzuar dhunën në Kuvend. Një deputete duke përfituar edhe nga fakti i të qenurit zonjë ka futur në Kuvendin e Shqipërisë, një element të palejueshëm, një flakadan dhe pastaj le të themi “atentatori” do të ishte zoti Spaho. Për fat të mirë duke qenë se edhe unë iu drejtova publikisht, i thashë zoti Spaho mos e shkrep flakadanin. Shpresoj që akte të tilla dhune të mos ndodhin në Kuvendin e Shqipërisë. Tani e vërteta është që seanca e fundit ka qenë seancë shumë afër normalitetit me përjashtim të faktit që ndoshta ju nuk e dëgjonit, por ne që ishim “non stop” aty e dëgjonim, ishte vënë një pajisje zhurmuese që kishte një frekuencë të tillë që të shkatërronte gjithë sistemin dëgjimor të çdo deputeti, por ne do të vazhdojmë të mundohemi dhe në fakt të them të drejtën edhe deputetëve që u drejtuan sekretariatit, i kanë kërkuar që të mos kërkohet një masë maksimale, me shpresë që të kemi një masë minimale me shpresë që do t’u vijnë mendt. Por më thoni ju që ne do të tërhiqemi nga kjo qasje? Nuk do të tërhiqemi”, u shpreh Balla.
Discussion about this post