Fredi Beleri, kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë ka dhënë një intervistë nga burgu për median greke “Alpha”.
Gjatë kësaj interviste, Beleri ka akuzuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama si kontrollues të drejtësisë në vend, ndërsa shton se ai krijoi një grusht shteti për të mos e lejuar që të merrte detyrën si kryebashkiak në Himarë.
“Qëllimi im ishte të merrja detyrën si kryetar i Bashkisë Himarë. Duke qenë se regjimi shqiptar dhe zoti Rama kontrollojnë drejtësinë dhe pothuajse të gjitha pushtetet në Shqipëri, ata në një grusht shteti nuk më lejuan të merrja detyrat që më besuan populli i Himarës”,- është shprehur Beleri sipas medias greke.
Në shkrimin e saj, media greke thotë se Beleri e cilëson padrejtësi dhe hall burgosjen e tij prej një viti, teksa evidenton se këto gjëra i priste dhe i kishte marrë parasysh që kur hyri në betejën për kryebashkiakun e Himarës.
“Mbështetja e popullit himariot më jep forcë dhe kurajo, tani mbështetja e të gjithë grekëve. Nuk mund ta imagjinoni se sa mesazhe mbështetëse marr nga shumë bashkatdhetarë të mi nga të gjitha trevat e Greqisë”,- shtoi Beleri.
Ndërkoë, Beleri ka thënë se në asnjë moment nuk ka menduar që të bëj një kompromis me regjimin shqiptar dhe se lufta jonë është e drejtë dhe në fund do të fitojmë ka përfunduar ai.
Fredi Beleri iu referua edhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili gjatë 11 viteve që ka qenë në pushtet ka ndarë në të mirë dhe të këqij grekët që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, vartësit e tij dhe ata që janë kundërshtarë.
“Unë kisha zgjedhur të jem kundërshtar i tij, jo për ndonjë ideologji apo për ndonjë interes personal, por sepse pashë që të gjitha vendimet e tij si kryeministër ishin kundër himariotëve dhe grekëve, banorëve vendas”,- shprehet Beleri.
Në lidhje me kandidimin e tij për eurodeputet, ai tha se është një detyrim i madh, një nder i madh që më është bërë nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.
Në raportimin e saj, media greke shkruan se kryebashkiaku i zgjedhur Himarës e mbylli me një mesazh për grekët:
“Zgjedhja ime në Parlamentin Europian, nëse bëhet me ndihmën e Zotit dhe, natyrisht, të grekëve kudo, do të më japë mundësinë të vazhdoj luftën time për demokraci dhe për shtet ligjor. Nga kjo betejë duhet të dalim krenarë dhe të lirë. Forca e tyre më jep forcë për të duruar dhe për t’i çuar gjërat më tej. Të çojmë zërin e minoritetit grek në Europë”.
Fredi Beleri ishte kandidat për kryetar Bashkie në Himarë në zgjedhjet vendorë të vitit të shkuar, por ai u arrestua nën akuzën për korrupsion, pasi tentoi që të blinte me para votën e qytetarëve himariotë.
Gjithashtu, së fundmi partia e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis e propozoi atë që të kandidonte për eurodeputet në zgjedhjet e Parlamentit Europian që pritet të mbahen në qershor.
Discussion about this post