Kryetari i PD-së Sali Berisha ka zhvilluar bashkëbisedim live me ndjekësit në rrjetin social “Facebook”.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha është shprehur se rinia do të jetë prioritet i të gjitha prioriteteve në qeverisjen e Partisë Demokratike.
Sali Berisha: Çështja më themelore që duhet të zgjidhë PD nesër në pushtet është rikthimi i besimit te të rinjtë shqiptarë dhe te shqiptarët në tërësi, se e ardhmja mund të ndërtohet në Shqipëri dhe se Shqipëria është një vend i bekuar me pasuri mahnitëse. Nuk ka diskutim se rinia do jetë prioritet i të gjitha prioriteteve. Së pari, një mundësi reale që të shkollohen në të gjitha shkallët e arsimit. Së dyti, një përpjekje e gjithanshme për punësimin e tyre, një sistem kreditimi për strehimin dhe bizneset e tyre, bonuse për sipërmarrësit që punësojnë të rinjtë. Pra, një kompleks masash, të cilat jo vetëm do bëjnë që të rinjtë të mos largohen nga Shqipëria, por kam besim se qindra dhe mijëra të rinj të rikthehen në këtë vend për të ndërtuar të ardhmen e tyre.
Kryedemokrati Berisha ka theksuar se qëllimi numër 1 i PD-së është ajo që ai e quan “rikthim i së drejtës së shqiptarëve për të votuar si qytetarë të lirë”.
Sali Berisha:Qeveria e Edi Ramës nuk ka legjitimitet. Ai ka humbur që në krijimin e saj. Kjo qeveri u votua mbi sistemin e patronazhistëve dhe makinerinë e grabitjes së votës. Qëllimi numër një është rikthimi i të drejtës së shqiptarëve për të votuar si qytetarë të lirë. Unë ju garantoj se do bëhet gjithçka për t’i shkurtuar jetën qeverisë së Edi Ramës dhe që qytetarët të votojnë të lirë. Edhe në këtë fushatë, Rama po shkel çdo rregull dhe parim të zgjedhjeve të lira dhe të barabarta. Në fund, fatura do i shkojë vetëm atij. Ne do fitojmë!
Discussion about this post