Në futboll thuhet se formacioni fitues nuk ndryshon, kjo është një filozofi të cilës edhe Sylvinho i beson shumë. Në 6 ndeshje në krye të Kombëtares, edhe pse nuk kishte në dispozicion asnjë test miqësor, Sylvinho ka ndryshuar pak ose aspak, ky trend nuk pritet të ndryshojë as në sfidën kundër Moldavisë, në një kohë kur ekipi i tij shprehet në perfeksion. Sfida e fundit ndaj Republikës Çeke ishte ndeshje më e mirë që Shqipëria ka zhvilluar me Sylvinho-n në stol, për këtë arsye nuk pritet të ndryshojë asgjë, gjithnjë nëse Asllani do të shkojë në këtë transfertë në kushte perfekte fizike, për momentin, Asllani është dilema e vetme e Sylvinho-s.
Lajmi i mirë është se mesfushori i Interit është stërvitur rregullisht me pjesën tjetër të ekipit duke marrë ngarkesë të plotë. Një dilemë e vogël ka edhe në lidhje me krahun e majtë të sulmit, Seferi apo Uzuni, kjo dilemë ka të bëjë vetëm në përshtatjen ndaj kundërshtarit, por sërish Seferi është favorit pasi vjen nga një “dopietë” me fanellën kuqezi.

Në portë do të jetë Berisha, ndërsa katërshja e mbrojtjes do të formohet nga Hysaj në të djathtë, Ismajli-Gjimshiti dyshja e qendrës, ndërsa Mitaj në të majtë. Asllani-Ramadani do të formojnë dyshen e mesfushës, ndërsa Nedim Bajrami do të jetë pas tredhëmbëshit, Seferi-Cikalleshi-Jasir Asani.
Discussion about this post