Nuk mungojnë përplasjet në disa qytete
Nuk munguan as në natën e 5-të trazirat në të gjithë Francën, megjithëse ndryshe nga 4 të tjerat ishin më sporadike. Kjo pasi rreth 45 mijë policë ishin vendosur nëpër rrugët e qyteteve në të gjithë vendin pas funeralit të një adoleshenti me origjinë afrikano-veriore të vrarë nga një patrullë policie.
Në rrugë kishte njësi të specializuara elitare, automjete të blinduara dhe helikopterë të sjellë për të kontrolluar 3 qytetet më të mëdha, Parisin, Lionin dhe Marsejën.
Megjithatë tensionet nuk munguan në qendër të Parisit apo dhe në Marsejë Nisë dhe Strasburg. Në Marsejë policia përdori gaz lotsjellës dhe u përball me të rinjtë deri në orët e vona të natës.
200 persona u arrestuan të shtunën, një shifër mjaft e ulët në krahasim me mbi 1300 të ndaluar një natë më parë.
Autoritetet lokale ndaluan demonstratat dhe pezulluan transportin publik gjatë mbrëmjes. Në disa qytete u vendos shtetrrethim gjatë natës.
Presidenti Emmanuel Macron shtyu një vizitë të planifikuar në Gjermani që do të fillonte të dielën për të trajtuar krizën më të rëndë të qeverisjes së tij që nga protestat “Jelekëve të Verdhë” që paralizuan pjesën më të madhe të Francës në fund të vitit 2018.
Discussion about this post