Presidenti Bajaram Begaj ka mbledhur sot Këshillin e Sigurimit Kombëtar. Të pranishëm kanë qenë kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, gjithashtu edhe kryeministri Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij, Begaj ka folur lidhur me sulmet kibernetike me të cilat Shqipëria u përball nëj vit më parë. Presidenti tha se duhet bërë një analizë lidhur me atë çfarë ka ndodhur, për të marrë masa dhe për të qenë të përgatitur në vijim.
“Një vit më parë, ne u përballëm me sulme shumë të rënda, komplekse dhe sofistikuara kibernetike. Sulmet synuan shkatërrimin e infrastrukturës dixhitale të Republikës së Shqipërisë, me qëllim nxitjen e destabilitetit në vend. Institucionet tona bënë të mundur që aktorët që ndërmorën këto sulme të mos e realizonin qëllimin e plotë të tyre. Vlerësoj maksimalisht punën e bërë nga institucionet. Bashkëpunimi me partnerët strategjikë SHBA, BE, NATO-n ka mundësuar trajnimin e specialistëve, ekspertëve etj Ligji i ri për sigurinë kibernetike dhe strategjia kombëtare e sigurisë kibernetike do i shërbejnë më së miri ndërtimit të kapaciteteve moderne. Pavarësisht masave të marra aktorët kërcënues kibernetikë, kryesisht të mbështetur dhe financuar nga Republika Islamike e Iranit e kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre.
Sulmet kibernetike janë shtuar si në sasi, por janë bërë edhe më të sofistikuar. Një vit pas sulmeve është koha të reflektojmë se çfarë kemi bërë, sa të përgatitur jemi në përballje me sulme të mundshme. Të vendosim se ku duhet të fokusohen përpjekjet dhe investimet tona për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes kibernetike. Krahas sigurisë kibernetike ne do diskutojmë edhe për çështje të tjera me rëndësi për sigurinë kombëtare. Diskutimet gjate KSK edhe mbi kërcënimet që vijnë nga Irani në formën e propagandës dhe në forma hibride”, tha Begaj.
Discussion about this post