Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas arrestimit të kandidatit të tij për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, duke hedhur akuza të rënda ndaj institucioneve shtetërore në Vlorë.
Berisha tha se Beleri është arrestuar pas manipulimeve të bëra nga shefi i policisë së Vlorës, të cilin e akuzoi si të përfshirë me bandat e krimit. Megjithatë Berisha tha se dënon shit-blerjen e votës në çdo rast.
Sipas Berishës, ky zhvillim ndodh për shkak të “pasioneve mafioze” të Edi Ramës, për të grabitur tokat në Himarë.
Kujtojmë se Beleri është arrestuar me akuzën e korrupsionit për blerje votash, ndërsa mësohet se atij i janë afruar agjentë të infiltruar. Po ashtu disa banorë të Himarës kanë pohuar se i janë ofruar shuma monetare në këmbim të votës.
“Komenti im është një veprim i verbër politik, një hakmarrje e verbër politike e Edi Ramës ndaj një kandidati të opozitës, me manipulime dhe një ish bashkëpunëtori të bandave që quhet Ermal Muça. Ky ka qenë një bashkëpunëtor me bandat e Shullazit, unë dënoj aktin, dhunën ndaj përfaqësuesit të opozitës, sikundër dënoj çdo akt shit-blerje vote kudo që kjo të ketë ndodhur. Dua të informoj qytetarët shqiptarë se janë pasionet mafioze të Edi Ramës ndaj trojeve dhe tokave të Himarës, shtytësi i vërtetë i këtyre akteve që po ndodhin në Himarë. Përdorimi i dhunës është një akt in-extremis, për të trembur zgjedhësit në këtë komunitet dhe jo vetëm aty”, deklaroi Sali Berisha.
Discussion about this post