Njëzetë procedime penale me në total 22 persona nën hetim apo të pandehur, rang i zyrtarëve të lartë, kanë rënë në rrjetën e Prokurorisë së Posaçme gjatë veprimtarisë së këtij institucioni, raporton neësbomb.al. Altin Dumani ka bërë bilancin e zyrtarëve e ish-zyrtarëve që janë sot pas hekurave, pas kërkesës së deputetëve në Komisionin e Ligjeve.
Krah kolegëve Klodian Braho e Adnan Xholi, si dhe shefes së BKH-së, Aida Hajnaj, kreu i SPAK po i përgjigjet interesimit të deputetëve lidhur edhe me prioritetet që i ka lënë Kuvendi i Shqipërisë.
Altin Dumani u bëri një bilanc të plotë deputetëve, për të gjithë zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartë, por interesant është fakti se shumë nga ata që janë sot në qeli kanë qenë kolegë të ligjvënësve dhe mund të jenë ulur vite më parë në tryezën ku po raporton kreu i SPAK.
Fjala e kryeprokurorit Altin Dumani për këtë çështje:
– Janë hetuar 20 procedime penale me 22 persona nën hetim apo të pandehur, ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë, me funksion: 5 magjistratë, 3 ish-gjyqtarë të shkallës së parë, 1 ish gjyqtar i apelit dhe 1 ish-prokuror, 5 ish-kryetarë bashkie, 1 ish-kandidatë për kryetar bashkie, 2 kryetarë bashkie, 1 ish-ministër Financash, 1 ish-ministër i Mbrojtjes, 1 ish-ministër i Mjedisit, 1 ish-ministër i Shëndetësisë, 1 ish-zv.ministër i Shëndetësisë, 1 ish-kryeministër, 1 ish-sekretar i Ministrisë së Mjedisit, 1 ish-sekretar i Ministrisë së Drejtësisë dhe 1 ish-sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë.
Janë regjistruar për herë të parë 8 procedime penale me 18 persona nën hetim apo të pandehur ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë.
Janë dërguar në gjykatë 11 çështje me kërkesë për gjykim me 12 persona të pandehur në cilësinë e ish-zyrtarit të nivelit të lartë, në funksion: 5 ish-kryetarë bashkie, 1 ish-gjyqtar, 1 ish-ministër Mjedisi, 1 ish-ministër Finance, 2 kryetarë bashkie, 1 ish-kandidat për kryetar bashkie, 1 ish-sekretar i Shëndetësisë.
Janë dënuar 9 zyrtarë të nivelit të lartë nga GJKKO me funksion: 2 ish-deputetë, 2 ish-gjyqtarë, 3 ish-kryetarë bashkie, 1 ish-sekretar i Shëndetësisë, 1 ish-nënkryetar bashkie.
Janë në proces gjykimi në gjykatat e posaçme: 4 ish-magjistratë për vepra penale për të cilat janë shkarkuar nga vettingu. Është në proces hetimi një ish-magjistratë me funksion gjyqtar në Gjykatën e Lartë, për shkak të veprave penale për të cilat është shkarkuar nga vettingu.
Janë dënuar nga gjykata: 2 ish-magjistratë me funksion gjyqtarë, ku njëri ka qenë ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Discussion about this post