Episodi i dytë i investigimit të televizionit italian “Rai 3” dhe etiketimi i kreut të qeverisë, Edi Rama nga ish-numri dy i kabinetit, Arben Ahmetaj si “shoku i kriminelëve” ka sjellë reagime të forta jo vetëm në vendin tonë, por dhe në atë fqinj.
Së fundmi, anëtarët e qendrës së djathtë të Unionit Parlamentar Itali-Shqipëri i kanë shkruar një letër ambasadores së vendit tonë në Itali, Anila Bitri Lani, pas publikimit të dokumentarit Rai3 për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për refugjatët, ku Shqipëria u portretizua si një vend i kapur nga krimi i cili ka depërtuar deri në institucionet e vendit.
“Në momentin delikat parazgjedhor, gjashtë ditë para votimit, del një reportazh televiziv që e portretizon Kryeministrin e Shqipërisë si mik të kriminelëve dhe bosëve.
Përballë kësaj, dëshirojmë të shprehim solidaritetin tonë të thellë me popullin shqiptar, për presidentin dhe për institucionet e tij demokratike, të cilat disa nuk hezitojnë t’i denigrojnë, duke dëmtuar Italinë në nivel ndërkombëtar.
Është veçanërisht e turpshme për kombin tonë që kjo të ndodhë përmes shërbimit të televizionit publik që paguhet nga taksapaguesit” , thuhet në letrën e publikuar nga vetë RAI 3 në rrjetet sociale.
Kryeministri Edi Rama më herët zhvilloi një intervistë për median Italiane “Rai3”, ku dhe foli për marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë, për Francesco Becchetti si dhe për akuzat ndaj vëllait të tij, Olsi Rama. Rama gjatë intervistës nuk kurseu edhe fjalën “neveri”, të përsëritur disa herë në lidhje me pjesën e parë të emisionit “Report”, ku Shqipëria cilësohej si “narkoqeveri” apo “narkoshtet”.
Gjithashtu, kryeministri u ndal edhe te akuzat e Arben Ahmetajt i cili tha se kreu i qeverisë shqiptare është takuar me “kokat e krimit” në zyrën e tij.
Discussion about this post