Ish-ministri i Mbrojtjes në kohën e “Gërdecit”, Fatmir Mediu kërkon nga Gjykata e Posaçme që të pranojë kërkesën e tij për ekspertim të ri për tragjedinë e 15 Marsit 2008. Humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë nga shpërthimi në fabrikën e demontimit.
Mediu kërkon përmes avokatëve që të pranohet kërkesa për ekspertim të ri për shkaqet që çuan në shpërthimin dhe tragjedinë e 15 viteve më parë.
Në seancën e sotme në Gjykatën e Posaçme është dorëzuar një listë e gjatë me të paktën 90 persona që Fatmir Mediu kërkon të jenë si dëshmitarë në gjyqin ndaj tij. Lista përfshin ish-ministra të Mbrojtjes nga Italia, Gjermania, Maqedonia, zyrtarë amerikanë, etj.
Gjithashtu, ish-ministri i Mbrojtjes në kohën e qeverisë Berisha kërkon dëshmitarë dhe nga NATO.
Nga ana tjetër, avokati i familjarëve të viktimave të Gërdecit, Dorian Matlija ka depozituar në Gjykatën e Posaçme një listë tjetër me personat që ai kërkon të merren dëshmitarë, të cilët janë pothuajse të gjithë banorët e fshatit Gërdec në periferi të Tiranës.
Vlen të theksohet se nëse kërkesa e Mediut pranohet, atëherë procesi i gjykimit të ish-ministrit do të nisë nga e para dhe me gjasë, do të duhen vite që familjarët e viktimave të marrin drejtësi. Kjo do të thotë se procesi gjyqësor do të rikthehet në pikën zero.
Fatmir Mediu akuzohet për dy vepra penale për “Shpërdorim detyre”, njëra e parashikuar nga Kodi Penal dhe tjetra nga Kodi Penal Ushtarak, pasi në kohën që ka ndodhur ngjarja ai ka qenë ministër i Mbrojtjes dhe ngarkohet dhe me përgjegjësi për zbatimin e Kodit Penal Ushtarak.
15 VITE NGA TRAGJEDIA E GËRDECIT
Më 15 mars të vitit 2008 Tirana do të lëkundej nga një shpërthim i fuqishëm i ndodhur vetëm pak kilometra larg, në fshatin e quajtur Gërdec. Një magazinë e kthyer në “fabrikë” për demontimin e armëve shpërtheu duke u marrë jetën të paktën 26 personave, ndërsa qindra të tjerë mbeten të plagosur. Shumë shtëpi u shkatërruan totalisht dhe shpërthimi krijoi një krater të madh.
15 vite pas ngjarjes askush nuk është dënuar për jetët e marra. Kryeministri i kohës, Sali Berisha do të deklaronte se përpara shpërthimit nuk e dinte se ekzistonte një fshat i quajtur Gërdec. Një javë pas tragjedisë, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dha dorëheqjen.
Ky shpërthim i mori jetën 26 njerëzve të pafajshëm, mes të cilëve gra dhe fëmijë të mitur, ndërkohë u plagosën mbi 300 të tjerë.
Opozita e asaj kohe akuzoi ashpër qeverinë e Berishës për tragjedinë dhe përfshirjen në një rrjet të madh trafikimi armësh. Prestigjozja amerikane “New York Times” publikoi disa shkrime për ngjarjen, duke hedhur dyshime mbi përfshirjen e zyrtarëve të lartë në këtë aferë. Berisha e konsideroi gazetën amerikane si “letër higjenike”.
Discussion about this post