Politikanët janë bërë bashkë në këtë Fitër Bajram dhe kanë uruar të gjithë besimtarët myslimanë.
Ka qenë kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla e cila përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se Shqipëria është një familje e madhe ku qytetarët pavarësisht besimeve të ndryshme ndajnë me njëri tjetrin dëshirat për solidaritet dhe bashkim.
“Pas përkushtimit e sakrificave të agjërimit gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, rritjes shpirtërore, lutjeve, faljeve, refleksioneve, durimit, shpërblehemi e kremtojmë bashkarisht Fitër Bajramin. Shqipëria është një familje e madhe, në të cilën, cilido qoftë besimi ynë, ndajmë me njeri-tjetrin gëzimet, lutjet, bekimet, dëshirat dhe urimet për më shumë mirëqenie, dashuri, solidaritet e bashkim. Gëzuar Fitër Bajramin të gjithë besimtarëve myslimanë!”, shkruan Nikolla.
Edhe ish-kryeministri Sali Berisha i është bashkuar lutjeve të besimtarëve dhe i ka uruar atyre një agjërim të pranuar dhe sakrifica e tyre të shndërrohet në gëzime dhe të mira.
“Të dashur miq, besimtarët muslimanë në Shqipëri dhe në mbarë botën, pas një muaj agjerimi të Ramazanit të madhërishëm, kremtojnë sot Bajramin!
Ndaj dhe le të lutemi ne sot dhe të urojmë nga zemra që i Gjithëfuqishmi të pranojë sakrificën tonë. Ta shndërrojë atë në gëzime, të mira, mbarësi për ne dhe mbarë shqiptarët kudo që janë. Gëzuar”, shkruan Berisha.
Gjithashtu edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët. Nëpërmjet një postimi në facebook, ku shihet krah imamit Ilir Currit, ai ka uruar agjërim dhe lutje të pranuara për të gjithë besimtarët në mbyllje të muajit të bekuar të ramazanit.
“Kënaqësi e veçantë ta nisja këtë ditë Fitër Bajrami, sot me imamin, z. Ilir Curri.Zoti ua pranoftë të gjithë besimtarëve myslimanë agjërimin dhe lutjet e tyre përgjatë Muajit të Bekuar të Ramazanit!Gëzuar të gjithë shqiptarëve këtë ditë të bekuar!”- shkruan Meta.
Mëngjesin e sotëm, kryeministri, Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit që kurorëzon mbylljen e muajit të shenjtë të Ramazanit.
“Mirëmëngjes, gëzuar Fitër Bajramin!”- shkruan Rama.

Discussion about this post