Një velierë e braktisur në mes të detit është bllokuar në Portin e Limjonit në Sarandë dhe është vendosur nën sekuestro. Mjeti lundrues është gjetur i braktisur në mes të detit, nga anija shqiptare “Rozafa 23”, e cila ishte duke peshkuar.
Veliera me mbishkrimin “Bavaria 50”, e cila nga pamjet duket në gjendje të mirë dhe tepër luksoze, është gjetur më datë 10.06.2023, rreth 51 milje larg ishullit të Siçilisë.
Kapiteni i anijes shqiptare menjëherë pas konstatimit të mjetit lundrues, ka njoftuar Kapitenerinë e Siçilisë dhe Delta Forcen e Policisë Italiane, të cilët kanë kryer kontrollin fizik të velierës. Mësohet se ata nuk kanë konstatuar sende të kundraligjshme si dhe kanë kryer verifikimet e tjera përkatëse dhe në bazë të së drejtës ndërkombëtare të detit.
Në këto kushte, mjeti i braktisur në mes të detit i është dorëzuar kapitenit të anijes Rozafa, i cili e ka sjell atë rreth orës 09.00 të mëngjesit të sotëm në Portin e Limjonit në Sarandë.
“Aktualisht mjeti lundrues tip veliere është sekuestruar dhe qëndron e bllokuar në port, pasi do të verifikohet nga Kapiteneria Sarandë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë dhe Policinë Kufitare Sarandë”, njoftojnë autoritetet shqiptare.

DVKM Vlorë/Informacion sqarues
Sot, rreth orës 09:00, kanë mbërritur në portin e Limjonit, Sarandë, anija e peshkimit “Rozafa 23” dhe një mjet lundrues tip veliere.
Mjeti lundrues tip veliere, me mbishkrimim “Bavaria 50”, është gjetur më datë 10.06.2023, rreth 51 milje larg ishullit të Siçilisë, Itali, nga anija e peshkimit Rozafa, ekuipazhi i së cilës ishte duke peshkuar në atë hapësirë detare.
Nga kapiteni i anijes së peshkimit në momentin e konstatimit nga ana e tyre, është njoftuar Kapiteneria e Siçilisë dhe Delta Force e Policisë Italiane, të cilët kanë kryer kontrollin fizik, gjatë të cilit nuk kanë konstatuar sende të kundraligjshme si dhe kanë kryer verifikimet e tjera përkatëse dhe në bazë të së drejtës ndërkombëtare të detit, ja kanë dhënë velieren kapitenit të anijes Rozafa.
Aktualisht mjeti lundrues tip veliere është sekuestruar dhe qëndron e bllokuar në port, pasi do të verifikohet nga Kapiteneria Sarandë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë dhe Policinë Kufitare Sarandë.
Discussion about this post