Futbolli italian pritet të tronditet akoma më shumë në ditët në vijim për shkak të skandalit të basteve të vëna nga futbollistët profesionistë.
E përditshmja italiane “La Republicca” raporton se Nicolo Zaniolo dhe Sandro Tonali janë larguar nga selia e Azurrëve pasi u tha se ishin të përfshirë në një hetim nga prokuroria e Italisë dhe Federata Italiane e Futbollit.
Lojtarët, përkatësisht të Aston Villa-s dhe Newcastle-it, u njoftuan mbi hetimin nga prokurorët e Torinos teksa ishin në qendrën stërvitore të ekipit kombëtar në Coverciano- pak përpara kualifikimeve të Kampionatit Europian kundër Anglisë dhe Maltës.
Edhe pse Federata Italiane e Futbollit (FIGC) nuk specifikoi se për çfarë hetimi bëhej fjalë konkretisht, ajo tha se dy mesfushorët u lejuan të shkonin në shtëpi për shkak se nuk janë në gjendjen e duhur për të përballuar ndeshjet e ardhshme.
Në një deklaratë të së enjtes thuhej: “Federata njofton se sot pasdite Prokuroria Publike e Torinos ka kryer hetime për lojtarët, Sandro Tonali dhe Nicolo Zaniolo, të cilët aktualisht po stërviten me ekipin kombëtar në Qendrën Federale të Stërvitjes Coverciano.”
Prokurorët torinezë njoftuan një ditë më parë se nën hetim ishte një tjetër lojtar i ekipit kombëtar italian, Nicolo Fagioli, për skandal bastesh. Fagioli po përballet me një tjetër hetim nga FIGC për përfshirjen në trukim ndeshjesh.
Discussion about this post