Ashtu si dhe raportuam mbrëmjen e së dielës, banorët e Santorinit dhe ishujve përreth vendosën të kalonin natën jashtë banesave të tyre.
Të kapluar nga ankthi dhe frika e lëkundjeve të tërmetit, banorët fjetën në automjetet e tyre ose dhe në çadrat e ngritura nga autoritetet.
Aktiviteti sizmik është rritur ndjeshëm përgjatë orëve të fundit ku në vetëm një orë bien 10 tërmete. Shqetësimi është përhapur edhe në Turqi, ku sizmologët u kanë kërkuar banorëve të zonave bregdetare si Bodrum, Mugla dhe Aydin të jenë në gatishmëri për një cunami të mundshëm.
Lekundjet ne ishujt greke
Ndërkohë, gjatë natës kryeministri Kyriakos Mitsotakis zhvilloi një takim me ministrin e mbrojtjes, shefit e shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes, drejtorët dhe ekspertët e fatkeqësive natyrore ku dhe u diskutua frika për një tërmet 6 ose më shumë të Shkallës Rihter.
“Janë duke u shqyrtuar të gjithë elementët e aktivitetit sizmik. Masat që janë marrë deri më tani janë parandaluese. Në çdo rast komisioni për përballimin e rrezikut sizmik do të jetë vazhdimisht prezent dhe do të takohet me të gjithë. I bëj thirrje bashkëqytetarëve që të dëgjojnë masat e ekspertëve”, tha Vasilis Kikilias pas takimit.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të Santorinit të qëndrojnë të qetë, të informohen nga autoritetet kompetente dhe të ndjekin udhëzimet e ekspertëve për mbrojtjen e tyre.

Në Santorini dhe Amorgos autoritetet lokale kanë përditësuar planet e tyre të evakuimit në rast tërmeti dhe cunami, ndërsa u kanë bërë thirrje anijeve të peshkimit dhe atyre private që të qëndrojnë në breg. Ekipet e shpëtimit në ishujt grek kanë “zbarkuar” me ambulance dhe janë në gatishmëri të plotë.
Ujërat po tërhiqen:
Me vazhdimin e stuhisë sizmike, ashtu si dhe e quajnë disa shkencëtarë fenomenin, në rrjetet sociale po qarkullojnë video të realizuara nga banorët të zonave bregdetare të Turqisë, si në Izmir, të cilat raportojnë se ujërat janë tërhequr ndjeshëm.
Sizmologu Akis Tselentis , në një postim në llogarinë e tij në Facebook, tha se: “Nuk ka nevojë për panik sepse paniku është vrasësi më i madh, por kërkohet vigjilencë, fenomeni po përkeqësohet. Pas tërmeteve të reja që ndodhën, mendoj se si shteti (që po bën atë që duhet) ashtu edhe banorët duhet të jenë shumë të kujdesshëm.
Komiteti Kombëtar i Rrezikut Sizmik është i pajisur me shkencëtarë me përvojë ndërkombëtare dhe ju duhet të dëgjoni njoftimet e tij. Rreziku më i madh është nga cunami. Banorët duhet të largohen menjëherë nga brigjet dhe të kërkojnë strehim në zonat më të larta topografike sapo të vërejnë se ujërat po tërhiqen”.
Rekomandimet për qytetarët:
-Shmangia e grumbullimeve të mëdha brenda ndërtesave.
-Largimi nga ndërtesat e braktisura dhe portet kryesore si Ammoudi, Armeni, Korfos dhe Palaio Limani i Firas.
-Zbrazja e pishinave për të shmangur rrezikun e dëmtimeve strukturore në rast tërmeti.
-Zgjedhja e rrugëve të sigurta, sidomos në zona me rrezik të lartë për rrëshqitje dheu.
-Në rast të një tërmeti te fuqishëm, rekomandohet largimi i menjëhershëm nga zonat bregdetare.
Masat shtesë:
-Mbyllja e shkollave në Santorini, Anafi, Ios dhe Amorgos deri me 3 shkurt.
-Forcat e Armatosura janë në gatishmëri për të ndihmuar në rast emergjence.
-Autoritetet detare kanë udhëzuar pronarët e mjeteve lundruese të jenë në gatishmëri për evakuim të mundshëm.
Galeria fotografike (
1/2
)


Discussion about this post