Kandidatja për ambasadore e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe ka prezantuar sot para Komisionit të Kuvendit për Politikën e Jashtme, platformën e saj për këtë post.
Kumbe është shpreur se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Izraelit ka arritur në nivele të mira, por shtoi se ka ende potencial për thellimin e bashkëpunimit në fusha si agrokultura, siguria kibernetile dhe lufta kundër terrorizmit.
“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit nuk kanë mbetur vetëm në fjalë dhe letra. Importi dhe eksporti kanë arritur në nivele 40 dhe 41%. Kanë nisur prej dy javësh tashmë fluturimet direkte mes Tiranës dhe Tel Avivit. Investime në fushën e agrokulturës, ka nisur edhe teknoparku. Në lidhje me fushën e sigurisë kibernetike dhe luftën kundër terrorizmit, mendoj që këto janë pa dyshim të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Izraeli është një vend i start-up-eve, dhe ka shumë vend për të rritur bashkëpunimin”, u shpreh Kumbe.
Ndërsa anëtari i komisionit, deputeti demokrat Tomor Alizoti është shprehur kundër kandidaturës së Kumbes. Ai ka thënë se Izraeli është një vend shumë kritik, ndaj si i tillë nuk mund të jetë “vend qokash”.
“Doja t’ju bëja disa pyetje lidhur me Izraelin por nuk po e bëj, do të ishit më mirë në UNESCO, sepse Izraeli është një vend shumë delikat. Ambasadori është një vend shumë i rëndësishëm, prandaj e ka emrin shkëlqesi. Nuk duhet të jetë vend qokash. Politika e jashtme është diçka kombëtare, nuk i përket një partie. Pse në postet diplomatike shqiptare duhet të ketë vetëm njerëz që e duan kryeministrin. Le të jenë edhe këta që nuk e duan. Zakonisht njerëzit shumë të ditur janë edhe rebelë. Respekt për ju. Po të ishte në post tjetër do të isha me ju. Por nuk jam”, tha Alizoti.
Meri Kumbe ka mbajtur më herët postin e zëvendës ministres në Ministrinë e Kulturës. Ajo është muzikologe dhe lektore në Uiversitetin e Arteve të Tiranës. Kumbe ka punuar pranë UNESCO-s si dhe ka drejtuar për disa vite aktivitete muzikore në vendin tonë, siç është Festivali Folklorik i Gjirokastrës.
Discussion about this post