Shpallja fatjor e Donald Trumpit për 34 vepra penale shënon fundin e procesit historik gjyqësor penal ndaj ish- presidentit dhe fillimin e apelimit nga ky i fundit.
Ditën e djeshme një juri në Manhatan e shpalli ish-presidentin fajtor për falsifikimin e dokumentave, si pjesë e një skeme për të ndikuar në zgjedhjet e 2016, duke fshehur një pagesë ndaj një aktoreje të filmave pornografikë, e cila ka thënë se ka pasur një marrëdhënie intime me Trump.
Gjyqi zgjati afërsisht gjashtë javë dhe jurisë iu deshën dy ditë për të diskutuar përpara se të merrnin vendimin. Prokurorët thonë se Trump falsifikoi të dhënat për të fshehur rimbursimet për ish-avokatin e tij Michael Cohen, i cili i pati paguar aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels 130 mijë dollarë në javët e fundit të fushatës elektorale të vitit 2016, që ajo të mos bënte publike pretendimet e saj për një marrëdhënie seksuale me Trump të një dekade më parë.
Pas shpalljes së verdiktit në një prononcim të shkurtër për mediat Donald Trump tha se vendimi i marrë ndaj tij ishte i manipuluar dhe u zotua që të luftojë deri në fund. Ai mohoi të ketë pasur marrëdhënie seksuale me Daniels dhe tha se pagesat për Cohen u evidentuan siç duhet në regjistrat e kompanisë, si shpenzime ligjore.
Cilat ishin akuzat?
Trump u padit më 30 mars 2023 dhe u akuzua për 34 akuza shtetërore për falsifikimin e të dhënave të biznesit në shkallën e parë.
Cili ishte verdikti?
Trump u shpall fajtor për të gjitha akuzat më 30 maj 2024. Juria ktheu një vendim unanim në sallën e gjyqit në Manhattan ku u zhvillua gjyqi për gjashtë javë.
Akuzat për të cilat Trump u shpall fajtor:
Baza e aktakuzës është falsifikimi i të dhënave të biznesit kur Trump rimbursoi Cohen, ish-avokatin e tij, për pagesat e bëra për Daniels, yllin e filmave për të rritur.
“I pandehuri DONALD J. TRUMP falsifikoi në mënyrë të përsëritur dhe me mashtrim të dhënat e biznesit të Nju Jorkut për të fshehur sjellje kriminale që fshehin informacione të dëmshme nga publiku votues gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2016”.
Akuzat e Donald Trump by Newsbomb Albania on Scribdhttps://www.scribd.com/embeds/737909471/content?start_page=1&view_mode=scroll&access_key=key-atdEx6FvdhIcEng9I4Hb
Çfarë duhej që juria ta dënonte Donald Trump?
Gjyqtari Juan Merchan i udhëzoi juristët që para se të fillonin diskutimet për të shpallu Trumpin fajtor për falsifikimin e të dhënave të biznesit në shkallën e parë, ata duhej të arrinin unanimisht në përfundimit jo vetëm se ai shkaktoi falsifikimin e të dhënave, por se si ai “konspiroi për të promovuar ose parandaluar zgjedhjen e çdo personi në një post publik me mjete të paligjshme”.
Kishte disa akuza për të cilat hetuesit siguruan prova, duke përfshirë: falsifikimin e të dhënave të tjera të biznesit, shkeljet e ligjeve të financimit të fushatës dhe shkeljet e ligjeve tatimore.
Çfarë thanë saktësisht prokurorët për Trump?
Prokurorët nga zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, thanë se Trump u takua me ish-botuesin e National Enquirer, David Pecker dhe avokatin Michael Cohen në Kullën e tij Trump në gusht 2015 dhe se treshja krijuan një komplot për të identifikuar, blerë dhe shkatërruar histori që mund të dëmtonin reputacionin e Trumpit gjatë fushatës presidenciale.
Vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve të vitit 2016, Cohen i pagoi 130,000 dollarë yllit të filmave për të rritur, Stormy Daniels , e cila pretendoi se kishte bërë seks me Trump në vitin 2006. Ajo pranoi ta mbante të fshehtë historinë e saj në këmbim të parave.
Pasi Trump u bë president, Cohen paguhej 35,000 dollarë në muaj për një vit në një seri çeqesh, shumica e të cilave u nënshkruan nga Trump. Prokurorët thanë se çeqet u raportuan në mënyrë të paligjshme si pagesa ndaj Cohen për punën e tij ligjore, mirëpo në të vërtetë ato para shkonin te ylli i filmave për të rritur.
Çfarë thanë avokatët e Trump?
Avokatët e Trump thanë se marrëveshja me Pecker dhe National Enquirer nuk ishte atipike për fushatat politike, të cilat shpesh përpiqen të ndikojnë në narrativat mediatike për kandidatët. Ata thanë se marrëveshja që Cohen bëri me Daniels për të mos cënuar reputacionin e ish-presidentit është e zakonshme.
Sa i përket kontrolleve ndaj Cohen, avokatët e Trump vunë në dukje se titulli i Cohen në atë kohë ishte “avokat personal i presidentit” dhe ai në fakt paguhej për punën e vazhdueshme ligjore. Ata thanë se Cohen dhe Trump kishin një marrëveshje verbale, por jo me shkrim.
Po vetë Trump?
Trump u deklarua i pafajshëm dhe mohoi të gjitha akuzat. Ai akuzoi Bragg, një demokrat, për ndjekjen e çështjes për përfitime politike. Trump e quajti të gjithë këtë proces gjyqësor si “mashtrim” dhe se akuzat ishin të manipuluara.
Çfarë vjen më pas?
Gjykatësi Juan Merchan njoftoi se masën e dënimit do ta shqiptojë më 11 korrik, vetëm disa ditë para Kuvendit Kombëtar Republikan në shtetin Viskonsin, ku zoti Trump pritet të shpallet zyrtarisht kandidati i Partisë Republikane për president. Ai i kërkoi avokatëve të Trump që të paraqesin çdo mocion që planifikojnë të kërkojnë jo më vonë se më 13 qershor dhe tha se prokurorët duhet të përgjigjen deri më 27 qershor.
Falsifikimi i të dhënave të biznesit është një vepër penale për të cilën parashikohet një dënim me burg deri në 4 vjet, edhe pse prokurorët nuk janë shprehur nëse do të kërkojnë dënim me burg dhe është e paqartë nëse gjykatësi do të caktonte një masë të tillë edhe nëse i kërkohej. Gjithashtu sipas ligjit amerikan, për shkak të moshës të thyer, presidenti mund t’i shpëtojë burgut dhe të dënohet me një gjobë 5.000 dollarë për çdo akuzë.
Disa ekspertë presin që Merchan të përdorë opsione të tjera, si gjobat, dënimin me kusht ose mbylljen në shtëpi. Por të tjerë thonë se ai mund të urdhërojë Trump që të qëndrojë pas hekurave. Ndërkohë, vlen për tu theksuar se dënimi, apo edhe burgimi, nuk e pengon Trumpin të vazhdojë garën për Shtëpinë e Bardhë.
Trump është ende duke u përballur me akuza në dy çështje të depozituara në gjykatat federale në Florida të Jugut dhe Uashington, DC, nga këshilltari special Jack Smith dhe një ndjekje penale në gjykatën shtetërore të udhëhequr nga Prokurori i Qarkut Fulton County, Georgia, Fani Willis. Rastet po vazhdojnë ngadalë dhe Trump ka kërkuar të shtyjë çdo gjykim deri pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Gjyqi i Nju Jorkut ishte një nga katër çështjet penale me të cilat përballet ish-presidenti:
-Prokurorët federalë në Uashington DC akuzojnë Trumpin për komplot për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhje në vitin 2020, duke përfshirë edhe nxitjen e protestuesve të Kapitolit më 6 janar 2021. Gjyqi është shtyrë për një kohë të pacaktuar për shkak të një apeli nga Trump i cili thotë se presidentët nuk mund të ndiqen penalisht si qytetarët e tjerë.
-Në Georgia, Trump akuzohet me 18 të pandehur të tjerë për komplot kriminal për të përmbysur humbjen e tij të ngushtë në shtet në vitin 2020. Gjyqi u shty pasi Trump filloi një përpjekje për të skualifikuar prokurorin kryesor.
-Trump akuzohet gjithashtu për keqpërdorimin e dokumenteve të klasifikuara dhe sjelljen e tyre në shtëpi pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë në një rast federal në Florida . Përsëri, gjyqi është shtyrë pasi gjyqtari shqyrton mocionet e ekipit ligjor të Trump.
Discussion about this post