Pavarësisht inflacionit të shkaktuar nga kriza energjetike që ka goditur Europën, përfshirë edhe Shqipërinë, pensionistët do të marrin bonusin e fundvitit.
Kryeministri Edi Rama, në një takim me qytetarë në Fier, tha se bonusi do të jepet. Për këtë do të ndihmojë edhe taksa e jashtëzakonshme që do t’u vendoset 3 prodhuesve të mëdhenj të energjisë në vend.
“Do vëmë tatimin e jashtëzakonshëm për prodhuesit e mëdhenj të energjisë, jo për ato të vogla, 3 prodhues ka të mëdhenj energjie në Shqipëri që e eksportojnë energjinë dhe e shesin me çmime stratosferike sepse ky është tregu dhe askush nuk ju thotë as pse as plaç. Por ama do paguajnë më shumë dhe do t’ju vëmë një taksë të jashtëzakonshme që nuk e kemi shpikur ne, e kanë vënë vende të tjera të BE. Ato para që do të marrim prej tyre që nuk llogariten të pakonsiderueshme nuk do i marrim t’i çojmë asgjë tjetër përveç se për t’ua kthyer njerëzve në formën e mbështetjes, duke filluar nga pensionistët”.
Kryeministri Rama u shpreh se bonusi i fundvitit për pensionistët do të synohet që të jepet në fillim të Dhjetorit.
“Do vendosim, pavarësisht se çfarë situate është dhe çfarë vështirësish ka buxheti, bonusin e veçantë pensionistëve para Vitit të Ri, këtë herë do bëjmë çmos që ta marrin në fillim të Dhjetorit dhe në buxhetin tjetër edhe nga taksa e jashtëzakonshme çfarë do marrim, përsëri do ta vendosim në dispozicion të kësaj përpjekje të përbashkët që t’i qëndrojmë edhe kësaj vale të tretë që nuk na u ndanë këto dhe të dalim më të fortë siç dolëm nga tërmeti, siç dolëm nga pandemia edhe nga kjo”, deklaroi Rama.
Discussion about this post