Gjykata Kushtetuese ka vendosur ditën e sotme rrëzimin e kërkesës së opozitës për pezullimin e ligjit për Komisionet Hetimore.
Duke u nisur nga njoftimi i Gjykatës Kushtetuese, kërkesa u rrëzua me shumicë votash, pasi nuk plotëson kriteret e nenit 45 të ligjit nr.8577, në lidhje me pasojat e pariparueshme dhe urgjencën në kushtet kur gjykata ka pranuar kërkesën për përshpejtim.
“Trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me shumicë votash, vendosi:
Rrëzimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 106, datë 21.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”,– thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë që bëhet me dije se vendimi përfundimtar për këtë çështje pritet që të jepet brenda 30 ditëve.
Në kërkesën e saj të bërë më herët në Kushtetuese, opozita kishte argumentuar se me ligjin e ri të miratuar vetëm me votat e PS, do të vështirësohej hetimi parlamentar, ndërsa shtohej se garantohej mbrojtja për zyrtarët e maxhorancës përballë komisioneve hetimore.
Megjithatë, përkundër kundërshtive që opozita kishte me ligjin e ri mbi Komisionet Hetimore, ajo pranoi që dy komisionet hetimore, ai i TIMS dhe i Koncesioneve në Shëndetësi të trajtoheshin sipas këtij ligji.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:
Në datën 27.05.2024 Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare publike kërkesën e 33 deputetëve të Kuvendit, në cilësinë e subjektit kushtetues jo më pak se një e pesta e deputetëve, me objekt: “Shfuqizimi i ligjit nr. 106, datë 21.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 106, datë 21.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit””.
Në lidhje me kërkesën për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 106, datë 21.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, Gjykata, pasi dëgjoi pretendimet e palëve në seancë plenare, vlerësoi se kërkesa për pezullimin e zbatimit të ligjit nuk plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, në lidhje me pasojat e pariparueshme dhe urgjencën, në kushtet kur Gjykata ka pranuar kërkesën e kërkuesit për përshpejtim dhe gjykimi për themelin e çështjes pritet të përfundojë së shpejti.
Për sa më sipër, trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me shumicë votash,
VENDOSI:
Rrëzimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 106, datë 21.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”.
Discussion about this post