Komisioni Anti-Korrupsion me drejtues Fatmir Xhafaj po zhvillon këtë të premte mbledhjen e parë. E pranishme është edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla si dhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Ndërkohë, ashtu si dhe ishte njoftuar më herët opozita ka bojkotuar këtë mbledhje.
Kryetari i këtij komisioni, Xhafaj, u bëri thirrje edhe njëherë deputetëve demokratë që t’i bashkohen tryezës ku do të punohet për çështje jetike për të ardhmen e vendit.
“Roli i opozitës është tejet i rëndësishëm, pjesëmarrja me rëndësi për qëllimet që do adresojë kjo reformë. I keqardhur që opozita nuk i është përgjigjur kësaj ftese për bashkëpunim, këtij detyrimi të përbashkët për angazhim në këtë komision që buron nga kushtetuta dhe rregullorja e kuvendit. Ky komision do adresojë çështje me rëndësi jetike për të ardhmen e vendit, përtej interesit të partive tona, i shërben forcimit dhe modernizmit të shtetit, të ardhmes së vendit tonë”, tha Xhafaj.
Ky komision do të ketë një mandat 10 mujor dhe do të përbëhet nga 6 deputetë socialistë, si dhe 5 anëtarë nga kahu i Partisë Demokratike.
Ai drejtohet nga Fatmir Xhafaj me anëtarët socialistë Klotida Bushka, Eduard Shalsi, Etilda Gjonaj, Evis Kushi dhe Toni Gogu.
Edhe pse opozita e ka bojkotuar votimin e ngritjes të këtij komisioni, shumica socialiste caktoi të jenë anëtarë Jorida Tabaku, Dhurata Tyli Cupi , Sorina Koti, Flutura Açka dhe një vend bosh për nënkryetarin e komisionit.
Komisioni i Posaçëm Parlamentar Anti-korrupsion i pagëzuar ndryshe si “Reforma në Drejtësi 2” është propozuar nga Partia Socialiste nën kundërshtimin e fortë të demokratëve, me qëllimin për të thelluar reformat shtet-formuese dhe luftën me korrupsionin.
Komisioni u miratua me 74 votat e socialistëve në seancën plenare të 30 majit, ndërsa opozita bojkotoi votimin.
Discussion about this post