Këtë të premte demokratët do të zhvillojnë protestën e radhës para ambienteve të Bashkisë së Tiranës. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe Partia Demokratike kanë njoftuar se në orën 11:00 të gjithë qytetarët të mblidhen para ambienteve të Bashkisë ku do të kërkojnë sërish dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe rrëzimin e “narkoqeverisë”.
Ndryshe nga 11 protestat e mëparshme, ditën e sotme demokratët do të protestojnë me vulën në “xhep” të rikthyer tanimë nga Gjykata e Apelit e cila ditë më parë vendosi që t’i kalonte grupimit të Rithemelimit, të drejtuar nga ish-kryeministri në arrest shtëpie, Sali Berisha.
Kjo protestë është e dyta brenda kësaj jave, pas asaj të zhvilluar ditën e hënë ku pati përplasje mes policisë dhe protestuesve. Madje, Klevis Balliu mbeti i lënduar si pasojë e gazi lotsjellës që u hodh.
Më herët lideri i demokratëve, Sali Berisha, i ftoi qytetarët e kryeqytetit që të marrin pjesë masivisht në protestën para Bashkisë së Tiranës ditën e sotme.
“Thirrja ime për qytetarët e Tiranës, ta shndërrojmë të premten në ditën e fitores tonë, në ditën e triumfit tonë”, u shpreh Berisha.
Discussion about this post