Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, do të vizitojë sot Shqipërinë. Meloni vjen në Shqipëri në kuadër të Javës italiane, por që do të zhvillojë një vizitë zyrtare në zonën e Gjadërit, Lezhë.
Mësohet se kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, së bashku me homologen e tij italiane do të vizitojnë zonën e Gjadërit që mbulon protokolli i bashkëpunimit Itali-Shqipëri për çështjet e migracionit në orën 11:15.
Ndërkohë, në orën 12:00 Rama dhe Meloni do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Vizita e Melonit vjen në një kohë kur opozita italiane hodhi akuza në lidhje me kampet e emigranteve në Shëngjin dhe Gjadër, e ku shpreheshin se punimet janë largë përfundimit.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama dhe Giorgia Meloni më 6 nëntor 2023 nënshkruan një marrëveshje, ku Shqipëria do jetë vend pritës për emigrantët që shpëtohen në det, jo për ata që mbërrijnë në territorin italian.
Dy qendrat në Shqipëri do të kenë një kapacitet për 3 mijë persona në muaj. Një nga qendrat pritet të ndërtohet në Shëngjin, ku Italia do të kujdeset për financat dhe procedurat e zbarkimit dhe identifikimit, ndërsa qendra tjetër do të ndërtohet në Gjadër.
Gjithashtu, Meloni deklaroi se në Portin e Shëngjinit do të ngrihet qendra për pritjen e refugjatëve që do të jetë nën juridiksionin e Italisë, dhe një tjetër strukturë do të ngrihet në Gjadër për akomodimin e tyre, deri sa të shqyrtohen kërkesat për azil, ndërsa Shqipëria do të kontribuojë vetëm me sigurinë.
Discussion about this post