Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit, Yannis Oikonomou ndodhet ditën e sotme në Durrës, ku është takuar me Fredi Belerin, i cili ndodhet në paraburgim.
Oikonomu po zhvillon një bisedë me Blerin. Ky takim vjen një ditë pasi dosja e përgatitur nga Prokuroria e Posaçme me akuzat për kryebashkiakun Fredi Beleri është pranuar nga GJKKO dhe ka kaluar zyrtarisht për gjykim. Në këto kushte, edhe Beleri merr zyrtarisht statusin e personit të pandehur dhe të hënën mbahet seanca e parë gjyqësore.
Prokurori i SPAK që përfaqëson akuzën, i ka qëndruar versionit fillestar se akuza ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës për blerje votash është e vërtetuar.
Kujtojmë se kryebashkiaku i Himarës ndodhet në paraburgim prej datës 12 Maj, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi u kap në flagrancë duke premtuar dhe dhënë para për të blerë vota. Pavarësisht se ishte në qeli, ai arriti të fitonte dhe të merrte mandatin nga KQZ.
Fredi Beleri, kandidat i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit dhe bashkë me bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi, akuzohen për blerje votash.
Prokuroria dhe Policia e Vlorës e ndoqën rastin me metoda speciale hetimi, duke përdorur agjent të infiltruar, i cili për tetë vota mori 400 mijë lekë të vjetra. Beleri dhe Kokaveshi u arrestuan në kushtet e flagrancës.
Discussion about this post