Mijëra abonentë të kompanisë celulare “One Albania” ditën e sotme s’po gjejnë zgjidhje për ofertat dhe rimbushjet. Që prej mëngjesit të kësaj të diele sistemi ka pasur probleme dhe është “black out” total.
Dhjetëra ankesa kanë mbërritur në redaksinë e newsbomb.al që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm dhe deri në orët e mbrëmjes ku thonë se sistemi i pagesave dhe rimbushjeve në dyqanet e kompanisë celulare s’ka punuar në asnjë moment të ditës.
Duke lënë kështu mijëra qytetarë pa zgjidhje dhe pa oferta në celularët e tyre dhe duke vënë në vështirësi edhe operatorët e dyqaneve ONE Albania të cilët nuk dinë se çfarë përgjigje t’u japin abonentëve.
Ndërkohë, në kushtet kur nuk kryen dot rimbushje nga dyqanet fizike dhe e kryen atë nëpërmjet llogarisë bankare, pagesa të zbritet por në numrin e celularit krediti mbetet zero lekë.
Kjo nuk është hera e parë që kjo kompani celulare shfaq probleme, pasi dhe më herët newsbomb.al ka raportuar problematikat që abonentët kanë hasur me sinjalin dhe shërbimet që kjo kompani iu ofron.
Newsbomb.al i ka kushtuar disa artikuj kësaj kompanie gjatë muajve të fundit, në përpjekje për të sjellë dhe një reagim institucionet shtetërore dhe autoritetet përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorit.
Në këtë fushatë tonën na janë bashkuar dhe gazetarë të njohur, personazhe të jetës publike dhe aktivistë të ndryshëm. E përbashkëta e shqetësimit të tyre është shërbimi skandaloz i kompanisë celulare që ka ardhur në Shqipëri si markë hungareze, por me pronarë shqiptarë.
Discussion about this post