Përfitojnë mbi 767 mijë persona. Pensioni mesatar në shkallë vendi pitet të rritet me 1500 Lekë
Të moshuarit në mbarë vendin, por edhe të gjithë personat që marrin pension nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të përfitojnë indeksim të tyre në masën 8.6%.
Vendimi për indeksimin e të gjitha kategorive të pensioneve, që mbulon Instituti i Sigurimeve Shoqërore u miratua nga Këshillit Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, mbledhje e cila u drejtua nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, i cili u zgjodh dhe kryetar i këtij Këshilli.
Indeksi i Çmimeve të Konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve për pensionistët, që llogaritet nga INSTAT, rezultoi në masën 8.6%.
Vendimi do të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave javën e ardhshme dhe parashikohet që nga data 1 Tetor 2023, mbi 767 mijë përfitues të të gjitha kategorive të pensioneve do të paguhen të indeksuar me këtë përqindje.
Indeksim në masën 8.6% do të përfitojnë edhe ata të moshuar që marrin pension social. Sipas të dhënave janë 2,499 persona, në shkallë vendi mbi 70 vjeç të cilët nuk kanë të ardhura dhe përfitojnë pension social.
Pensioni mesatar në shkallë vendi, do të rritet në masën e rreth 1500 lekëve, dhe pritet të shkojë në 18,794 lekë në muaj nga 17,306 lekë që është aktualisht.
Efektet financiare të politikës së indeksimit të pensioneve për tre muajt e mbetur të vitit 2023 llogariten në rreth 3.2 miliardë lekë, ndërsa ai mbartës për vitin 2024 do të jetë 12.1 miliardë lekë.
PENSIONI MESATAR NË VEND
ËSHTË BËHET
17,306 lekë/muaj 18,794 lekë/muaj
RRITJA 1,488 lekë/muaj
Discussion about this post