Prokuroria e Posaçme i ka dërguar një shkresë zyrtare Organizatës Botërore të Policisë Kriminale, njohur si Interpol, që të shpallë në kërkim ndërkombëtar politikanin socialist Arben Ahmetaj.
Policia e Shtetit ka kontrolluar disa ambiente në Shqipëri por nuk ka mundur ta gjejë ish-ministrin dhe në këto kushte pasi ka verifikuar dhe sistemin TIMS, ka rezultuar se Arben Ahmetaj është larguar nga vendi.
Menjëherë sapo shkresa e Policisë së Shtetit ka mbërritur në zyrat e Prokurorisë së Posaçme, kjo e fundit ka dërguar kërkesën në zyrat e Interpol që ish-ministri i PS të shpallet në kërkim ndërkombëtar. Tashmë, Arben Ahmetaj rezulton në kërkim në gjithë botën.
Nëse ai lokalizohet dhe ndalohet në një shtet, atëherë zyra e Interpol njofton Shqipërinë, konkretisht SPAK, dhe më pas organi i akuzës përgatit dosjen dhe ia dërgon atë Ministrisë së Drejtësisë. Ky institucion është përgjegjës për bashkëpunimin me shtetet partnere.
Ka pasur deklarata se ish-ministri ndodhej në Kanada e më pas në Angli pranë vajzës së tij, por këto deklarata nuk mund të merren të mirëqena dhe nuk janë të besueshme. Arben Ahmetaj akuzohet nga SPAK për veprat penale:
- “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, vetëm dhe në bashkëpunim, në formën e deklarimit të rremë, dhe në formën e fshehjes, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë, neni 25 i K.Penal,
- “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i K.Penal, 6 (gjashtë) herë;
- “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal.
Discussion about this post