Partia Socialiste duket e pashqetësuar nga thirrja e opozitës për të protestuar në Parlamentin Europian, për atë që e quajnë vjedhje të votave nga pushteti i Edi Ramës, si dhe kërkesa për qeveri teknike disa muaj para zgjedhjeve parlamentare.
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi është shprehur për RTSH se një sipërmarrje e tillë politike nuk sjell ndonjë pasojë dhe s’ka për të patur efekt. Grupi parlamentar i PD-së do të jetë në Strasburg javën e ardhshme dhe pritet me interes protesta e deputetëve opozitar.
“Nuk është çështja thjesht të shkojnë në Strasburg, por u duhet konsensusi i shumicës. Shumica parlamentare europiane foli përmes hapjes së procesit të negociatave të BE me Shqipërinë. Por protesta, takimet, kërkesat që do të bëjnë nuk kanë asnjë efekt për rrugën që Shqipëria ka zgjedhur drejt Bashkimit Europian”, është shprehur ai.
Më tej, Blendi Klosi rrëzoi çdo mundësi që në Shqipëri të ketë një qeveri teknike përpara zgjedhjeve.
“Të kërkosh qeveri teknike se nuk fiton dot përballë Edi Ramës dhe PS, kjo është tërësisht e palogjikshme. Një qeveri teknike ka zero shanse, në abosult. Duhet kuptuar diçka. Gara bëhet mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë.
Pra, do të jetë Edi Rama, kryetar i PS që ka drejtuar qeverinë këto 12 vjet me një sërë arritjesh, e fundit, nisja e negociatave për anëtarësim me BE dhe që ka një akses të jashtëzakonshëm në BE, reformat e qeverisë së tij po miratohen nga partnerët europanë apo Sali Berisha, kryetar i PD, i shpalli non grata nga SHBA dhe BE, me zero kontakt nga partnerët euroatlantikë të Shqipërisë, që ka edhe çështjen e tij në drejtësine e re. Kjo është gara.
Ata e dinë që me Ramën humbasin dhe kërkojnë një qeveri teknike, se mbas mendojnë se rriten shanset për të fituar”, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i PS.
Discussion about this post