Partia Socialiste ka hartuar një raport për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të një prej deputetëve të vetë, Arben Ahmetaj. Kuvendi do të mblidhet sot pikërisht në një seancë të posaçme për këtë çështje, ndaj ka përgatitur edhe raportin.
Dokumenti përmban dhe edhe qëndrimet e avokatëve mbrojtës të zotit Ahmetaj dhe përgjigjet që kanë dhënë përfaqësuesit e SPAK.
“Avokatët shprehën se: Nga deputetët e nderuar të dy krahëve politikë, u bë një pyetje e thjeshtë dhe logjike: cilat janë arsyet që ndaj deputetit Z. Arben Ahmetaj të aplikohet një masë e tillë kaq e ashpër? Pse kërkohet arrest/heqje lirie dhe pse pikërisht tani dhe jo më herët? Përfaqësuesit e akuzës u përgjigjën se këto nuk janë çështje që i takojnë këtij Këshilli, i cili nuk është gjykatë e juridiksionit penal”, thotë raporti.
Këtë përgjigje, deputetët socialistë e konsiderojnë të dobët dhe pa argumente nga ana e akuzës.
“Në këndvështrimin tonë dhe të së drejtës kushtetuese dhe të procedurës penale, kjo është një përgjigje e dobët, e kushtëzuar nga mungesa e argumentit. Me të drejtë deputeti z.Alibeaj e sqaroi mjaft mirë këtë aspekt të procedurës: ky Këshill dhe Kuvendi nuk janë noterë që vulosin kërkesat e prokurorisë. Nuk janë gjykatë, por në këtë procedurë ato sillen si quasi-gjykatë dhe, natyrisht, në mbështetje të nenit 73 të Kushtetutës dhe 288 të K.Procedurës Penale, vigjëlojnë mbi liritë, të drejtat dhe sigurimin e garancive ndaj arrestimit arbitrar të deputetëve”, vijon përgjigja.
Megjithatë, në fund katër deputetët firmëtarë Klotilda BUSHKA, Ermonela FELAJ, Klevis XHOXHI dhe Arben PËLLUMBI thonë se pranojnë kërkesën e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, për të lejuar arrestimin e kolegut Arben Ahmetaj.
Raporti i plotë i Partisë Socialiste per Ahmetaj
Discussion about this post