Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në mbledhjen vjetore të Këshillit Koordinues të Diasporës. Në fillim të fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal tek amnistia fiskale. Ai siguroi emigrantët se amnistia fiskale do të bëhet me çdo kusht dhe me çdo të drejtë që Shqipëria ka për ta bërë. Ai u shpreh se vendi ynë nuk ka pse privohet nga kjo e drejtë.
“Është edhe e papranueshme që në këtë lloj debati të përballemi me këdo qoftë që nuk e kupton se nuk mund të na paragjykojë, si një vend që edhe pse ka të drejtën e vet kushtetuese, edhe pse e ka të domosdoshme ta bëjë, edhe pse sot është një masë që mbështetet qartësisht nga qytetarët e vendit nuk e paska të drejtën ta bëjë, madje u dashka frenuar nga lloj-lloj formash, nga ato format e papranueshme në emër të të gjitha vlerave dhe parimeve që recitohen bukur, por që në fakt ndonjëherë përdoren për të fshehur ca të vërteta shumë të thjeshta duke na vendosur para një pamundësie të palogjikshme. Kështu që dua të siguroj të gjithë ata që janë në emigracion dhe që sot vuajnë për të sjellë në Shqipëri edhe ato remitancat që sjellin, një pjesë të madhe të të cilave i sjellin në rrugë informale, që të jemi realistë… Vuajnë për të blerë një shtëpi sepse kur shkojnë për të blerë një shtëpi iu turren nga mbrapa e gjithë struktura e pastrimit të parave dhe prokurorëve dhe në shumë raste e vërteta është që paguajnë ryshfete tek prokurorët që t’u shpëtojnë bllokimeve të parave të tyre që ne do ta bëjmë amnistinë fiskale me çdo kusht dhe me çdo të drejtë që kemi për ta bërë. Kam shumë besim që edhe bashkësia ndërkombëtare, edhe sidomos BE, që tanimë jemi në një partneritet të patjetërsueshëm do ta kuptojë dhe ne nuk kemi nevojë që ta mbështesë sepse është e pakuptimtë që ta kërkosh se do ta mbështesë, por nuk do ta pengojë dhe do të pranojë principin e të drejtës duke shfrytëzuar nga ana e vet të drejtën për ta monitoruar këtë proces. Për ta monitoruar që procesi të bëhet ashtu siç duhet sepse përderisa e bën Italia një herë në tre vjet, përderisa e kanë bërë të tjerë nuk kemi të drejtë të privohemi nga kjo e drejtë pse jemi të vegjël dhe pse na paragjykojnë përtej çdo lloj logjike”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh ndër të tjera se nuk mund të penalizohen 99% e shqiptarëve. Ai theksoi se paratë e krimit nuk janë subjekt i kësaj amnistie. Rama u shpreh se kjo nismë është shumë e rëndësishme për Shqipërinë jo vetëm nga aspekti ekonomik, por edhe social.“Përballë të gjithë argumenteve që nuk po i rreshtoj, se duhen orë për t’i rreshtuar të gjithave, ajo që vjen si kundërshti kolektive ndaj nesh për të bërë këtë akt është se shqiptarët janë kriminelë dhe janë të përfshirë në krim. Natyrisht Që ne kemi kontribuar masivisht për turpin tonë si politikë këtu në Shqipëri, por edhe si media për ta furnizuar dhe për ta ngjizur këtë imazh skandaloz, ndërkohë që krejt e kundërta është e vërtetë. Shqiptarët sot janë kontributorë të rëndësishëm në ekonomitë e vendeve ku kanë emigruar. Janë kontributorë të rëndësishëm në të gjitha nivelet. Patjetër që si të gjitha komunitet, si në të gjitha bashkësitë, si në të gjitha vendet, me qytetarët e tyre dhe njerëzit e kombësisë së vendit përkatës edhe shqiptarët kanë elementët e paligjshmërisë edhe të krimit, ku nuk bëjnë dallim dhe nuk përbëjnë ndonjë risi apo ndonjë veçanti dhe mbi të gjitha nuk duhet harruar asnjëherë dhe këtë gjë e kam përsëritur dhe e përsëris që sa herë konfrontohem me këtë lloj paragjykimi, që mbase patjetër shqiptarët që i kanë hyrë rrugës së paligjshmërisë dhe krimit janë elementë shqetësues në shoqëri të caktuara, por tregun e drogës, prostitucionit, tregun pastrimit të parave, tregun e të këqijave nuk e kanë krijuar shqiptarët, e kanë gjetur mes tyre dhe thjesht janë bërë pjesë e tij. Thënë të gjitha këto, unë kam shumë besim që do ia dalim ta thyejmë atë barrikadën e paragjykimit. Jemi në komunikim intensiv për të realizuar atë që është një e drejtë kushtetuese e përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Atë që është një rrjedhojë logjike e një periudhe të gjatë tranzicioni dhe e një periudhe të gjatë transformimesh, me një pikënisje specifike si ajo prej ku është nisur Shqipëria, nga një prapambetje e pakrahasueshme me asnjë vend tjetër, që na detyron sot dhe që bën sot që shumica dërrmuese e shqiptarëve ta mbështesin realizimin e një amnistie fiskale dhe penale për të gjitha ato arsye që kemi thënë. Natyrisht pa i hapur asnjë shteg askujt që për shkak të detyrës apo për shkak të aktivitetit të tij të paligjshëm ka bërë para. Askujt. As atyre që kanë kontribuar në jetën publike që kanë kontribuar përkundër pagave dhe nuk mund të kenë të ardhura të tjera për të shkuar dhe për t’i formalizuar dhe as atyre që kanë kryer veprimtari të paligjshme të rreshtuara sipas kategorive të caktuara. Të gjithë të tjerët, nuk mund të penalizohen 99% e shqiptarëve që kanë punuar dhe kanë jetuar me 3 lloje punësh dhe janë abuzuar nga pronarë me pasaportën e vendit ku kanë shkuar për shkak të atij 1% që as nuk është subjekt i një amnistie të kësaj natyre dhe që as nuk i përfaqëson kurrsesi të gjithë shqiptarët. E pamë se çfarë ndodhi në Britaninë e Madhe kohët e fundit, me çfarë lloj arrogance, me çfarë lloj demogogjie u përball komuniteti shqiptar dhe nuk kemi asnjë arsye që të tërhiqemi përpara kësaj nevoje. Është një nevojë e rëndësishme jo vetëm ekonomike, por edhe sociale, por edhe për ta vendosur vendin në kushte shumë më të favorshme në luftën kundër informalitetit, kundër korrupsionit dhe kundër krimit”, u shpreh ai.
Discussion about this post