“Tani na duhet turizmi i konsumit të lartë”
Pavarësisht besimit që i ka dhënë shumë prej funksionarëve të lartë socialistë, si dhe të emrave në administratë, Edi Rama me tone të ashpra i paralajmëroi të vetët nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste se ai dhe forca politike që drejton nuk do të bëhen mburojë për asnjë politikan e zyrtar të korruptuar.
“Janë shumë pak ato socialistë që thonë Rama të lëshon Rama s’të mbron. Kam një përgjegjësi morale. Përgjegjësia ime morale nuk është as të skuqem as të kërkoj ndjesë dhe aq më pak të zmbrapsem, sepse vetëm së bashku mund ta ngjisim Shqipërinë në majën ku e meritojnë shqiptarë. Kur i merr mendjen pushteti dhe paraja, tradhton jo vetëm besimin tim e tuajin, por edhe flamurin shqiptar! Nëse njëri e ka përdorur flamurin e PS-së si maskë për të vjedhur në të tjerët u dashka ta përdorim si letër higjienikë për të fshirë bajgat e korrupsionit! JO JO JO. Përgjegjësia ime morale është mos lërë dy gurë bashkë që drejtësia në Shqipëri të ketë lirinë dhe pavarësinë që i duhet për të ndëshkuar çdo lloj këlyshi të atij soji të vjetër politik. Jo se nuk kam asnjë ndjenjë tjetër përveç neverisë kur dëgjoj, jo po se mbrojti jo e lëshon, këdo që ka ngrënë pas shpinës sime, pas partisë e pas një populli të tërë. Cilido që ka vjedhur djersën e njerëzve që e kanë besuar dhe kanë hipur kaliç mbi supet e partisë. Ndëshkohet kushdo që shkel ligjin brenda dhe jashtë PS”.
Teksa inkurajoi organet e drejtësisë, në betejën e nisur me korrupsionin ftoi edhe Shërbimin Informativ Shtetëror.
“Nuk ka shans që kjo qeveri dhe parti ta pengojë SPAK-un që të bëjë luftën kundër korrupsionit. Pres që edhe SHISH t’i bashkohet kësaj lufte. Pres që SHISH të transformohet, duhet profesionalizëm jo dispançeri e thashethemeve me shkrim.”
Përpara anëtarëve të Asamblesë Kombëtare gjatë foli jo vetëm për SPAK-un, por edhe për bumin turistik që Shqipëria njohu përgjatë këtij viti, duke i lexuar shifrat si një fillim i ri për sfidat drejt një turizmi elitar.
Për 7 muajt e parë të vitit në vend hynë mbi 5.1 milion të huaj, një rritje kjo me 31% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Ndërkohë që Shqipëria ia doli sërish të renditet në vend të parë në Europë për rritjen e fluksit të pasagjerëve ajrorë edhe gjate muajit korrik me 116% më shumë, krahasuar me vitin 2019.
Discussion about this post