Gjashtë shtetas janë arrestuar mbrëmjen e djeshme në qytetin bregdetar të Vlorës, pas një operacioni të befasishëm të zhvilluar nga Forcat Speciale RENEA. Në koordinim ka qenë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë.
Policia bën me dije se ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve në bazë të inteligjencës policore, parandaloi një ngjarje të mundshme kriminale kundër personit, e cila do të kryhej me disa armë zjarri.
Në pranga ka rënë Santilo Basho, vëllai i Tesilvan Bashos i njohur dhe si Tesi i Selenicës. Ky shtetas dhe Mariglen Aliaj, gjithashtu i arrestuar, kanë pasur me vete armë zjarri pistoleta me plumba në fole gati për qitje, kurse 4 personat e tjerë kanë pasur dijeni për këtë veprimtari kriminale.
Të arrestuarit janë me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e krimeve të rënda kundër personit, si dhe janë pjesëtarë të një grupi kriminal të rrezikshëm. Atyre u janë sekuestruar 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 3 automjete, 2600 euro dhe 8 celularë.
“Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë siguruar informacion për 2 shtetas që qendronin të armatosur, në një lokal në Vlorë, të cilët mund të kryenin ngjarje të rëndë kriminale, kundër personit. Në bazë të këtyre informacioneve, në bashkëpunim me Forcat Speciale “RENEA”, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Obelisk”, si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit:
- Santilno Basho, 37 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
- Mariglen Aliaj, 33 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
- Bruno Shehu, 29 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;
- Mehmet Hoxhaj, 27 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;
- Beraldo Xhindi, 29 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;
- Kevin Metaj, 28 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Këta shtetas, pjesëtarë të një grupi kriminal të rrezikshëm dhe me precedentë të mëparshëm kriminal, në fushën e krimeve të rënda kundër personit, u kapën në flagrancë, në ambientet e një lokali, në lagjen “Lef Sallata”. Gjatë kontrolleve fizike dhe në këtë lokal, shërbimet e Policisë iu gjetën shtetasve S. B. dhe M. A., dy armë zjarri pistoleta (“Glock” dhe “TT”), me fishekë në fole, të gatshme për qitje. Armët u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me 3 automjete që posedonin shtetasit e arrestuar, 2600 euro dhe 8 celularë”, njoftoin Policia e Shtetit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Discussion about this post