Tërmete të njëpasnjëshme kanë goditur së fundmi Santorinin dhe ishujt përreth. Gjatë 24 orëve të fundit aktiviteti sizmik ka ngjallur shqetësim të madh tek autoritetet greke dhe sizmiologët.
Deri më tani tërmeti më i fortë është shënuar i shkallës Rihter me magnitudë 4.6 ballë, ku është regjistruar 19 km në jugperëndim të Arkesinit, Amorgos.
Autoritetet greke kanë ngritur alarm ditën e sotme për mbylljen e shkollave, teksa tërmetet kanë vijuar atyre u janë dashur të ngrenë çadra për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve.
Sipas asaj që mediat vendase raportojnë në Santorini vazhdojnë të regjistrohen tërmete të tjera të vogla dhe për këtë arsye autoritetet kanë hapur çadra për qytetarët të cilët duan të kalojnë natën jashtë banesave të tyre.
Sakaq, njerëzve u është kërkuar të tregohen të kujdesshëm sepse i frikësohen një tërmeti të madh me magnitudë 6.
Profesori turk i Gjeofizikës, Ovgun Ahmet Ercan, ka folur lidhur me atë çfarë është duke ndodhur në Greqi, kryesisht në Santorini si dhe për frikën për një vullkan në ishull.
Përmes një postimi në rrjetin social X ai shkruan: “Në shkencën e gjeofizikës, ekzistojnë këto tregues të shpërthimeve vullkanike: 1. Tërmete të cekëta dhe stuhim mikrotërmetesh; 2. Emetimet e gazit; 3. Zhurmat nga toka; 4. Ënjtja e tokës Tre nga këto janë regjistruar në Santorini. Megjithatë, edhe nëse këto indikacione janë të pranishme, shpërthimi mund të mos ndodhë. Në disa raste, mund të vonohet për një javë, një vit ose të mos ndodhë kurrë”.
Theksojmë se deri më tani më shumë se 380 tërmete janë regjistruar që nga 24 janari, në zonën detare të Anydros, midis Thira dhe Amorgos.
Tashmë, pas 24 janarit, në rajon është vënë re një rritje e madhe e sizmicitetit dhe deri më tani janë regjistruar më shumë se 380 tërmete. Në fakt 85 janë mbi magnitudën 3 deri tani.
“Në 24 orët e fundit janë shënuar 10 tërmete me magnitudë mbi 4 ballë, duke arritur në magnitudë 4.6 ballë. E gjithë kjo na bën të jemi të kujdesshëm në lidhje me të dhënat, domethënë nuk mund të mos jemi të kujdesshëm”. Ne nuk mund ta sigurojmë botën me të dhënat e deritanishme. Instituti Gjeodinamik po monitoron me kujdes zhvillimin e fenomenit”, tha Drejtori i Institutit Gjeodinamik të Observatorit Kombëtar të Athinës, V. Karastathis.

Sakaq tërmetet kanë panikosur turistët dhe punëtorët në ishull të cilët janë duke u larguar me shpejtësi.
Blue Star 1 mori 500 pasagjerë nga Santorini në itinerarin e tij të pasdites për në Pire, ndërsa në mbrëmje Blue Star Chios do të lundrojë drejt ishullit, që vjen nga Egjeu lindor dhe do të marrë 400 pasagjerë të tjerë sipas rezervimeve të bëra.

Rekomandimet për qytetarët:
-Shmangia e grumbullimeve të mëdha brenda ndërtesave.
-Largimi nga ndërtesat e braktisura dhe portet kryesore si Ammoudi, Armeni, Korfos dhe Palaio Limani i Firas.
-Zbrazja e pishinave për të shmangur rrezikun e dëmtimeve strukturore në rast tërmeti.
-Zgjedhja e rrugëve të sigurta, sidomos në zona me rrezik të lartë për rrëshqitje dheu.
-Në rast të një tërmeti te fuqishëm, rekomandohet largimi i menjëhershëm nga zonat bregdetare.
Masat shtesë:
-Mbyllja e shkollave në Santorini, Anafi, Ios dhe Amorgos deri me 3 shkurt.
-Forcat e Armatosura janë në gatishmëri për të ndihmuar në rast emergjence.
-Autoritetet detare kanë udhëzuar pronarët e mjeteve lundruese të jenë në gatishmëri për evakuim të mundshëm.

Discussion about this post