Presidenti i vendit, Bajram Begaj dhe ministrja Elisa Spiropali, do të marrin pjesë sot dhe nesër në Samitin e nivelit të lartë të Paqes që mbahet në Zvicër. Fokusi i tij është Ukraina, lufta e paprovokuar e nisur nga Rusia dhe propozimi i Vladimir Putin për “paqe”.
Në nivel shtetëror, Shqipëria përfaqësohet nga Presidenti i Republikës, ndërsa qeveria përfaqësohet në këtë samit të nivelit të lartë nga ministrja Elisa Spiropali.
“Me Presidentin Bajram Begaj, për në Samitin e Paqes për Ukrainën, që do të zhvillohet sot dhe nesër në Bürgenstock, pranë qytetit të Lucernës, në Zvicër”, shkruan Spiropali krah fotos me Begaj në avion.
Njëqind delegacione do të marrin pjesë në Konferencën e Paqes për Ukrainën në Zvicër, duke përfshirë 57 krerë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë bota do të mblidhen sot për një nga përpjekjet më ambicioze për të krijuar një plan paqeje për Ukrainën.
E pranishme në këtë samit do të jetë edhe zëvendëspresidentja e ShBA-së, Kamala Harris, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kryeministri britanik Rishi Sunak dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Do të jenë dhe presidentë/krerë të vendeve të BE-së, vendeve të Amerikës së Jugut, Lindjes së Mesme dhe Azisë.
Discussion about this post