Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) i ka dorëzuar Kuvendit kërkesë për arrestimin e Arben Ahmetajt.
SPAK kërkon “dritën jeshile” nga Kuvendi për arrestimin e Ahmetaj, i cili është në hetim për aferën e inceneratorëve.
Prokuoria e Posaçme kërkon arrestimin e deputetit dhe ish-zëvendëskryeministrit pasi janë ngritur katër akuza për të, përkatësisht: shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Në kërkesën e SPAK po ashtu përmendet se Kuvendi duhet të japë leje dhe për kontrollit personal/të banesës së deputetit, në kuadrin e procedimit penal nr. 277/1.
Mbëtët për t’u parë nëse Ahmetaj do të japë vetë dorëheqje nga mandati i deputetit, apo sipas rregullores se Kuvendit, Lindita Nikolla do të thërrasë Këshillin e Mandateve lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-ministrit dhe zv.kryeministrit.
“Mbështetur në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 288 të K.Pr.Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së deputetit, në kuadrin e procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.
Duke qenë se hetimet në kuadrin e procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022 vazhdojnë në drejtim edhe të fakteve të tjera penale apo personave të tjerë të implikuar në ndodhjen e tyre, me qëllim respektimin e kuadrit ligjor procedurial penal mbi ruajtjen e sekretit hetimor, bazuar në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kërkojmë që çdo procedurë që do të zhvillohet, në lidhje me këtë kërkesë, nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, të zhvillohet në seancë me dyer të mbyllura. Gjithashtu në respektim të nenit 288 pika 2, të K.Pr.Penale, bashkalidhur gjeni kërkesën dhe relacionin e arsyetuar, të shoqëruar me provat përkatëse”, thuhet në kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar proçedimin penal Nr. 277/1 të vitit 2022 për veprat penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” , “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar respektivisht nga nenet 257/a, 260, 245, 287 të K.Penal.
Mbështetur në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 288 të K.Pr.Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, në kuadrin e procedimit penal të mësipërm, ka paraqitur kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit:
• Arben AHMETAJ, i biri i Nevruz dhe i Ferdane, datëlindja 28.06.1969, lindur në Gjirokastër, me nr personal G90628061Q.
Ky shtetas, rezulton se ka marrë cilësinë e personit nën hetim, në kuadrin e procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale të:
• “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, vetëm dhe në bashkëpunim, në formën e deklarimit të rremë, dhe në formën e fshehjes, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë, neni 25 i K.Penal,
• “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i K.Penal, 6 (gjashtë) herë;
• “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal.
Discussion about this post