100 fitore në histori, një shifër jubilare që kurorëzon një moment fantastik të futbollit shqiptar. 73 vite kishte Shqipëria që nuk thyente Bullgarinë, sot kjo statistikë duket një gënjeshtër e madhe, pasi Sylvinho i mposhti me lojë dhe rezultat me ekipin e dytë. Me 6 ndryshime në formacion, me një rotacion në shkallë të gjerë, Sylvinho u kujdes deri në detajin më të vogël të respektonte lojtarët më pak të aktivizuar, por në të njëjtën kohë nuk hoqi dorë nga filozofia e tij, një skuadër kompakte që nuk i lejon asgjë kundërshtarit, një ekip me mentalitet fitues që kërkon golin në çdo formë.

65% mbajta e topit, 12 raste për gol, 4 gjuajtje në kuadrat, 2 gola të shënuar, zero të pësuar, këto janë shifra që flasin qartë, ky përfaqësuese është me të vërtetë fantastike, nuk bën asnjë kompromis, nuk e njeh as termin miqësorë. Ky ekip pa diskutim ka marrë shumë nga imazhi i Sylvinho-s, të qetë, të saktë, por dhe të bukur, si në fundin e pjesës së parë, ku me një aksion model të finalizuar nga Qazim Laçi kaluam në avantazh.

“Qershia mbi tortë” e këtij tetori kuqezi ishte super goli i Ernest Muçit, një talenti të pastër që nuk e humbi rastin, por tregoi pak nga klasi i tij duke vënë në jetë një kryevepër, një tjetër konfirmim që ky ekip nuk është normal, por fantastik, një ekip që po thyen çdo tabu duke bërë që tifozët të ëndërrojnë për gjëra të mëdha.
Discussion about this post